Administrata e presidentit amerikan Donald Trump po shqyrton alternativa të reja për të rritur presionin ndaj Iranit, ndërsa operacionet ushtarake të deritanishme nuk kanë arritur ta detyrojnë Teheranin të rikthehet në tryezën e negociatave sipas kushteve të Uashingtonit.
Sipas CNN, një oficer i lartë i degës së inteligjencës në Komandën Qendrore të SHBA-së (CENTCOM) u ka dërguar një email analistëve ushtarakë, duke kërkuar “ide të reja, krijuese dhe jokonvencionale” për të ushtruar më shumë presion ndaj Iranit.
Në mesazh thuhet se duhen gjetur mënyra të reja për të “ndëshkuar” dhe detyruar Iranin të ndryshojë qëndrim, ndërsa burime pranë ushtrisë amerikane e kanë cilësuar këtë nismë si të pazakontë.
Zëdhënësi i CENTCOM, kapiteni Timothy Hawkins, konfirmoi se komanda ka një traditë të gjatë në kërkimin e zgjidhjeve inovative dhe se komandanti i saj, admirali Brad Cooper, inkurajon kontributin e të gjithë personelit, pavarësisht gradës.
Kërkesa për ide të reja vjen në një moment kur Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë sulme të shumta ajrore ndaj objektivave iraniane, por pa arritur objektivin për ta detyruar Teheranin të pranojë një marrëveshje. Sipas raportimit, Trump ka shqyrtuar mundësinë e një vale të re bombardimesh ndaj objekteve bërthamore iraniane, përfshirë instalacionet e ndërtuara thellë nën tokë.
Megjithatë, ekspertët ushtarakë vlerësojnë se edhe armët më të fuqishme konvencionale nuk do të mjaftonin për t’i shkatërruar plotësisht këto objekte. Burime të njohura me planet ushtarake thonë se një operacion tokësor do të ishte shumë i rrezikshëm dhe se presidenti amerikan nuk është i gatshëm të autorizojë dërgimin e trupave në Iran.
Ndërkohë, si CIA ashtu edhe Agjencia e Inteligjencës së Mbrojtjes (DIA) kanë vlerësuar se fushata aktuale e bombardimeve ka pak gjasa të ndryshojë pozicionin negociues të Iranit.
Edhe kreu i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura amerikane, gjenerali Dan Caine, ka pranuar publikisht se fuqia ajrore ka kufizimet e saj dhe se bombardimet, të vetme, nuk mund të realizojnë të gjitha objektivat strategjikë të vendosur nga Shtëpia e Bardhë.
Sipas burimeve të CNN, administrata Trump vazhdon të analizojë skenarë të ndryshëm, nga intensifikimi i sulmeve deri te ruajtja e presionit aktual, ndërsa synimi mbetet arritja e një marrëveshjeje me Iranin pa u përfshirë në një luftë të gjatë tokësore.
