Komuna e Prishtinës ka ndaluar vënien në përdorim të çdo objekti që nuk ka kaluar Inspektimin Final dhe nuk është pajisur me Certifikatë të Përdorimit, duke theksuar se masa synon mbrojtjen e jetës, shëndetit dhe sigurisë së qytetarëve.
Përmes një njoftimi publik, Drejtoria e Inspektoratit ka bërë të ditur se asnjë objekt nuk mund të vihet në përdorim pa përfundimin e procedurave ligjore të inspektimit dhe pajisjen me certifikatën përkatëse.
Sipas njoftimit, ky detyrim vlen për objektet individuale dhe kolektive të banimit, objektet banesore-afariste, afariste, industriale, publike, si dhe për çdo objekt tjetër që hyn në kategorinë e parë dhe të dytë sipas Ligjit për Ndërtim dhe është në kompetencë të Inspektoratit të Kryeqytetit.
Komuna ka rikujtuar se, në bazë të Ligjit për Ndërtim, përdorimi i një objekti lejohet vetëm pasi organi kompetent të ketë kryer Inspektimin Final dhe të ketë lëshuar Certifikatën e Përdorimit, e cila dëshmon se objekti është ndërtuar në përputhje me lejen ndërtimore, projektin e miratuar, standardet teknike dhe kërkesat e sigurisë.
Po ashtu, Drejtoria e Inspektoratit ka njoftuar se investitorët do të njoftohen individualisht, para përfundimit të punimeve ndërtimore, përmes një urdhërese inspektuese, me të cilën do të obligohen të mos i vënë objektet në përdorim, të mos ua dorëzojnë banesat apo lokalet shfrytëzuesve, të mos fillojnë aktivitetin ekonomik dhe të mos lejojnë vendosjen e banorëve deri në përfundimin e Inspektimit Final dhe lëshimin e Certifikatës së Përdorimit.
Në njoftim u bëhet thirrje edhe qytetarëve që të mos pranojnë në dorëzim banesa, lokale afariste apo objekte të tjera pa Certifikatë të Përdorimit, pasi, sipas Komunës, një objekt pa këtë dokument nuk është verifikuar zyrtarisht nëse i plotëson kushtet ligjore dhe teknike për përdorim të sigurt.
“Çdo veprim në kundërshtim me këtë urdhëresë do të konsiderohet shkelje e vetëdijshme e detyrimeve ligjore dhe do të merret parasysh gjatë procedurave inspektuese”- thuhet në njoftim.
Komuna paralajmëron se, në rast se konstatohet përdorimi i një objekti në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, Inspektorati do të ndërmarrë masa ligjore, duke përfshirë ndërprerjen e menjëhershme të përdorimit të objektit, urdhërimin për lirimin e tij deri në pajisjen me Certifikatë të Përdorimit, shqiptimin e gjobave administrative ndaj personave përgjegjës, si dhe inicimin e procedurave të tjera administrative dhe ligjore.
Lidhur me kapacitetet që mund t’i ofrojë komuna për të kryer këto procese, KALLXO.com i është drejtuar me pyetje për sqarime Drejtorisë së Inspektoratit, mirëpo deri në publikimin e këtij lajmi, nuk kanë kthyer përgjigje.
Ky njoftim i Komunës së Prishtinës vie gjatë ditëve kur kanë qarkulluar disa materiale në të cilat pretendohet për përfshirje në një aferë të dyshuar korrupsioni të Florent Maliqit, shefit të kabinetit të kryetarit, Përparim Rama.
Në materialet e publikuara në rrjetet sociale, të cilat më pas janë shpërndarë edhe në media, pretendohet se në një komunikim mes Maliqit dhe një personi tjetër, përmendet marrja e një shume parash për legalizimin e një objekti në Prishtinë. Autenticiteti i këtyre komunikimeve nuk është konfirmuar dhe pretendimet nuk janë verifikuar ende në mënyrë të pavarur.
Ndërkaq, të shtunën (), Maliqi, përmes një deklarate për media të lëshuar gna zëdhënësja e Kryeqytetit, i ka mohuar akuzat për korrupsion që janë ngritur ndaj tij, duke i cilësuar ato si të pavërteta dhe pjesë e një fushate denigruese.
Për këtë ka reaguar edhe kryetari Përparim Rama, ku tha se e mirëpret faktin që çështja i është drejtuar Prokurorisë, duke shtuar se institucionet komunale do të bashkëpunojnë plotësisht me organet e drejtësisë. Komuna e Prishtinës, sipas tij, do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore ndaj kujtdo që eventualisht konstatohet se ka shkelur ligjin.
