Dy infermierë të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Prizren janë ndaluar për 48 orë, nën dyshimin se kanë përvetësuar para nga pagesat e pacientëve për shërbimet mjekësore. Lajmi u bë i ditur përmes një komunikate të përbashkët të Prokurorisë Themelore në Prizren dhe Policisë së Kosovës.
Sipas komunikatës, Prokuroria, në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, ka pranuar informacione operative se dy infermierë në QKMF-Prizren dyshoheshin për shpërdorim të detyrës duke përvetësuar mjetet financiare të arkëtuara nga pacientët.
Me autorizim të Prokurorit të Shtetit, që nga muaji qershor 2026 janë zhvilluar veprime hetimore, gjatë të cilave janë siguruar dëshmi që, sipas Prokurorisë, krijojnë dyshimin e bazuar se Xh.B., në cilësinë e kryeinfermierit, dhe B.R., në cilësinë e infermierit, gjatë ndërrimeve të natës në QKMF-Prizren, kanë përvetësuar para nga pagesat e pacientëve.
Sipas hetimeve, veprat dyshohet se janë kryer në periudhën nga muaji gusht deri në nëntor të vitit 2024, si dhe nga muaji shkurt deri në dhjetor të vitit 2025. Prokuroria njofton se Xh.B. dyshohet se ka përvetësuar 1,250 euro, ndërsa B.R. dyshohet se ka përvetësuar 1,032 euro. Shuma e përgjithshme e mjeteve financiare që dyshohet se janë përvetësuar arrin në 2,282 euro.
Sipas Prokurorisë, veprimet e të dyshuarve mbështesin dyshimin e arsyeshëm për kryerjen e veprës penale “Përvetësimi në detyrë”, të paraparë me nenin 418 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Pas intervistimit, në prani të mbrojtësve të tyre, me aktvendim të Prokurorit të Shtetit, të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Prokuroria Themelore në Prizren ka bërë të ditur se brenda afatit ligjor do të vlerësojë paraqitjen e kërkesës për caktimin e masës së sigurimit të pranisë së të pandehurve në procedurën penale. Sipas komunikatës, hetimet për këtë rast do të vazhdojnë dhe, varësisht nga rezultatet e tyre, ekziston mundësia që ato të zgjerohen edhe për periudha të tjera kohore.
