Sulmuesi i Kosovës është shumë pranë kalimit te RB Leipzig. Sipas Sport Bild, Fisnik Asllani ka zgjedhur Leipzigun para Barcelonës dhe transferimi është çështje ditësh. Mbetet vetëm marrëveshja për pagën, ndërsa klubi sakson do të aktivizojë klauzolën e largimit te Hoffenheim që varion nga 25 deri në 29 milionë euro.
Me këtë shumë, Asllani do të bëhet një nga 10 shitjet më të shtrenjta në historinë e Hoffenheim dhe një nga 10 blerjet më të shtrenjta të Leipzigut. Shenjat e largimit janë të qarta: Hoffenheim ka konfirmuar të dielën skuadrën për grumbullimin në Seefeld të Austrisë (2-9 gusht) dhe Asllani nuk është përfshirë, për t’i lënë hapësirë të zgjidhë të ardhmen.
Ai mungoi edhe në miqësoren e fundit. Leipzigu po kërkon një qendërsulmues që të konkurrojë me brazilianin Romulo. Asllani shihet si profili ideal, pasi mund të luajë si sulmues klasik, i dytë dhe në krah.
Mediat kishin lidhur edhe Mohamed Amouran me Leipzigun, por sipas Sky Germany, Asllani është tani objektivi kryesor. 23-vjeçari nga Berlini vjen pas sezonit më të mirë në karrierë: 11 gola dhe 10 asiste në 35 ndeshje në të gjitha garat. Vlera e tij ka shpërthyer nga 8 në 35 milionë euro, ndaj Leipzigu po e merr me zbritje të madhe.
Me largimin e Asllanit, Hoffenheimi arrin në 18 largime këtë verë dhe afrohet me 100 milionë euro të arkëtuara nga shitjet.
