E ardhmja e Vinicius Junior vazhdon të mbetet një nga temat kryesore të afatit kalimtar te Real Madridi. Sipas raportimeve të mediave spanjolle, drejtuesit e klubit po e shqyrtojnë seriozisht situatën e sulmuesit brazilian, i cili edhe pse ka edhe një vit kontratë me “Los Blancos”, mund të largohet gjatë kësaj vere.
Arsenali përmendet si destinacioni më i mundshëm për 26-vjeçarin, ndërsa spekulimet për një transferim të mundshëm janë intensifikuar gjatë ditëve të fundit.
Pavarësisht zërave për largimin e tij, Vinicius është paraqitur të hënën në qendrën stërvitore të Valdebebasit, ku fillimisht ka kryer kontrollet mjekësore dhe më pas i është bashkuar skuadrës në stërvitjen e parë të fazës përgatitore. Megjithatë, situata mund të ndryshojë shumë shpejt.
Sipas mediave spanjolle, negociatat për të ardhmen e brazilianit janë përshpejtuar dhe nuk përjashtohet mundësia që ai të largohet nga skuadra nëse arrihet marrëveshja për transferimin e tij. Vinicius ka qenë një nga lojtarët kryesorë të Real Madridit në vitet e fundit, por ardhja e Kylian Mbappes ka ndryshuar hierarkinë në repartin ofensiv.
Kjo situatë ka shtuar zërat se braziliani mund të kërkojë një sfidë të re, ndërsa Arsenali mbetet klubi që po i përcjell më nga afër zhvillimet rreth tij. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
