Mbi 123 mijë prindër dhe kujdestarë ligjorë kanë dorëzuar aplikimet për subvencionimin e teksteve dhe materialeve shkollore për nxënësit e arsimit fillor dhe të mesëm të ulët, ka bërë të ditur Ministria e Arsimit. Sipas këtij institucioni, deri më tani procesi i aplikimit ka kaluar pa probleme teknike, ndërsa aplikimi do të mbetet i hapur deri më .
Drejtoresha e Departamentit për Arsim Parauniversitar, Anita Kadriu, tha se deri të hënën kanë aplikuar 123 mijë e 829 prindër dhe kujdestarë ligjorë, duke u bërë thirrje atyre që ende nuk e kanë bërë aplikimin ta përfundojnë sa më parë, në mënyrë që mjetet të transferohen në kohë në llogaritë e tyre bankare.
Ajo theksoi se Ministria është ende duke llogaritur shumën që do të subvencionohet për secilin nxënës, pasi kjo do të varet nga numri i teksteve mësimore dhe numri përfundimtar i përfituesve.
Kadriu bëri të ditur gjithashtu se këtë vit, për herë të parë, të drejtë aplikimi kanë edhe shtetasit e huaj me leje qëndrimi të përkohshëm ose të përhershëm në Kosovë, nëse fëmijët e tyre ndjekin mësimin në institucionet arsimore të vendit.
Ndërkohë, Ministria e Arsimit është duke përgatitur procesin e verifikimit të aplikimeve, përmes koordinatorëve të caktuar nëpër shkolla, një procedurë që do të zhvillohet në të njëjtën mënyrë si edhe vitin e kaluar. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
