Organizata Demokraci Plus (D+) ka publikuar analizën “Transparenca dhe zbatimi i rregullimit të çmimeve të produkteve medicinale në Kosovë”, në të cilën vlerëson zbatimin e reformës për nivelizimin e çmimeve të barnave në të gjitha barnatoret e vendit.
Sipas analizës, miratimi i ligjit ishte një hap i domosdoshëm, pasi për më shumë se dy dekada qytetarët paguanin çmime të ndryshme për të njëjtin produkt medicinal, ndërsa institucionet publike në disa raste blinin barna me çmime më të larta se ato të tregut. Megjithatë, D+ vlerëson se zbatimi i reformës u vonua për shkak të kapaciteteve të pamjaftueshme institucionale.
Edhe pse ligji hyri në fuqi në vitin 2023, Lista e parë Zyrtare e Çmimeve nisi të zbatohej vetëm në shkurt të vitit 2025. Analiza thekson se periudha tranzitore u shoqërua me vështirësi, si mungesa e çmimeve të deklaruara për disa produkte, paqartësi në trajtimin e stoqeve ekzistuese dhe mungesa të përkohshme të disa barnave, përfshirë tretësirat infuzive NaCl.
Në kuadër të hulumtimit, D+ realizoi edhe një anketë me qytetarët. Sipas rezultateve, rreth 81 për qind e tyre vazhdojnë të perceptojnë dallime në çmimet e barnave, ndërsa 40 për qind nuk janë të informuar se çmimi zyrtar i produktit medicinal është i shënuar në banderolë. Vetëm 5 për qind e të anketuarve kanë raportuar ndonjëherë raste të dyshuara të mospërputhjes së çmimeve.
Analiza identifikon edhe mangësi në modelin aktual të rregullimit të çmimeve. Sipas D+, ligji nuk parashikon negociimin e drejtpërdrejtë të çmimeve me kompanitë farmaceutike në situata të jashtëzakonshme, ndërsa marzha maksimale prej 7.5 për qind dhe mungesa e definimit të qartë të “shpenzimeve të tjera” mund të ndikojnë në furnizimin e tregut me produkte të caktuara.
Gjatë vitit 2026 janë tërhequr autorizimet e marketingut për 33 produkte origjinatore, duke ngritur shqetësime për sigurinë e furnizimit. D+ thekson gjithashtu se nivelizimi i çmimeve nuk ka ndalur kontrabandën e barnave. Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, gjatë vitit 2025 janë konfiskuar 1.823.30 kilogramë produkte medicinale me vlerë mbi 93 mijë euro.
Në fund, organizata rekomandon rishikimin e Ligjit për Çmimin e Produkteve Medicinale, përcaktimin më të qartë të kompetencave institucionale, rishikimin e marzhës prej 7.5 për qind, krijimin e bazës ligjore për negociimin e drejtpërdrejtë të çmimeve në raste të jashtëzakonshme dhe forcimin e mekanizmave që garantojnë zbatim më të qëndrueshëm të reformës. /KP
