Çmimet e naftës janë më të ulëta të hënën në mëngjes () pasi OPEC+ rriti prodhimin për shtator dhe presidenti i SHBA-së, Donald Trump, anuloi sulmin e planifikuar ndaj Iranit, duke ushtruar presion për rënie ndaj çmimeve, raporton Euronews .
Çmimi për një fuçi nafte të papërpunuar brent për furnizim në tetor pësoi rënie prej 5.16% në 83.39 dollarë për fuçi, ndërsa kontratat e ardhshme të naftës së papërpunuar amerikane, WTI, për furnizim në shtator ranë gati për 6% në 79.66 dollarë për fuçi.
Çmimi i naftës së papërpunuar ra pasi presidenti Trump deklaroi se bisedimet e reja me Iranin do të fillonin më vonë gjatë ditës, duke lehtësuar shqetësimet për ndërprerjet e mundshme të furnizimit.
Një presion shtesë në rënie u pasua pasi Arabia Saudite, Rusia dhe pesë anëtarë të tjerë kryesorë të OPEC+ u morën vesh në një takim online të dielën për rritjen e prodhimit të naftës me 188 mijë fuçi në ditë nga shtatori në sfondin e ndërprerjeve të shkaktuara nga konflikti i Lindjes së Mesme.
“Shtatë vendet pjesëmarrëse vendosën të zbatojnë një rregullim të prodhimit prej 188 mijë fuçish në ditë”, kanë thënë vendet anëtare ata në një deklaratë të përbashkët. Rritja, e vendosur nga vendet kryesore në Organizatën e zgjeruar të Vendeve Eksportuese të Naftës(OPEC), pritej gjerësisht nga analistët. “OPEC+ ka hequr dorë prej shkurtimeve vullnetare.
Sfida tjetër është menaxhimi i tepricës që mund të shfaqet ndërsa flukset e eksportit normalizohen”, ka paralajmëruar Jorge Leon, analist në “Rystad Energy”. Megjithatë, ai ka paralajmëruar se vendimi “ndryshon pak në planin afatshkurtër sepse (Ngushtica e) Hormuzit mbetet e kufizuar. Ndikimi i vërtetë në treg do të vijë kur të rifillojnë flukset normale të eksportit”.
Vendet e Gjirit kanë luftuar për rritjen e eksporteve për shkak të paralizës pothuajse të plotë të Ngushticës së Hormuzit të orkestruar nga Irani gjatë luftës në Lindjen e Mesme – pavarësisht rritjes së shkurtër të trafikut detar pas nënshkrimit të memorandumit të mirëkuptimit ndërmjet SHBA-së e Iranit në qershor.
Shumë anëtarë të OPEC+ nuk mund të prodhojnë aq naftë sa lejojnë objektivat e tyre zyrtare për shkak të “rënies së kapacitetit të prodhimit”, kështu që rritja e objektivave është bërë më pak domethënëse, ka thënë Giovanni Staunovo, analist në UBS. Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com
