Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se bisedimet me Iranin do të zhvillohen të hënën (), por nuk ka pranuar të caktojë ndonjë afat kohor për marrëveshje, pasi më parë ka theksuar se kishte anuluar një sulm të afërt me shpresën arritjen e shpejtë të një marrëveshjeje për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe për zgjidhjen e çështjes së kapaciteteve bërthamore të Teheranit, raporton Reuters .
Trump kishte thënë vonë të shtunën në platformën e tij Truth Social se Irani dhe vendet e tjera të Lindjes së Mesme kishin kërkuar kohë për ta finalizuar një marrëveshje që do të çonte në rihapjen “e menjëhershme, të plotë dhe totale” të ngushticës dhe “fundin e kërcënimit bërthamor të Iranit”, por se Teherani duhet “të bëjë shpejt marrëveshje”.
Ndërsa u kthye në Uashington nga fundjava në New Jersey, Trump u ka deklaruar gazetarëve të dielën, sipas kohës lokale amerikane, se negociatat do të fillojnë të hënën pasdite, por nuk dha detaje se ku do të zhvillohej ose kush do të përfshihej. I pyetur nëse kishte një afat kohor për Iranin për marrëveshje, Trump nuk pranoi të përgjigjej. “A do të preferoja të bëja një marrëveshje?
Nuk po kërkoj të vras njerëz sepse njerëzit vdesin, shumë njerëz vdesin dhe ne nuk e duam këtë”, ka theksuar Trump në përgjigje. Trump ka bërë vazhdimisht kërcënime se do të përshkallëzojë luftën kundër Iranit që nisi së bashku me Izraelin në fund të shkurtit, vetëm për të lejuar më shumë kohë për bisedime, të cilat deri më tani nuk kanë çuar në marrëveshje gjithëpërfshirëse.
Depërshkallëzimi i dukshëm i Trumpit pas ditësh kërcënimesh për sulme të reja nga secila palë ishte kthesa e fundit në luftë. Sulmet janë përhapur përgjatë Gjirit deri në Detin e Kuq dhe madje edhe në një strukturë mesdhetare në Egjipt.
Irani ka mbyllur kryesisht Ngushticën e Hormuzit, kanal ku kalonte 20% e naftës dhe gazit natyror të lëngshëm në botë para fillimit të luftës, duke shkaktuar rritjen e çmimeve të energjisë dhe duke nxitur inflacionin më të gjerë. Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com
