Një ndërhyrje rutinë e Policisë për një parkim të parregullt në Malishevë ka eskaluar në dhunë ndaj zyrtarëve policorë, duke lënë tre policë të lënduar dhe dy vëllezër në ndalim. Sinjali mëson se të dyshuarit janë Arben Buzhala , 38 vjeçar dhe Besim Buzhala , 42 vjeçar. Sipas burimeve, ngjarja ka ndodhur pasditen e 2 gushtit, rreth orës , në rrugën “Ibrahim Mazreku” në Malishevë.
Gjithçka nisi kur zyrtarët policorë, gjatë patrullimit, i tërhoqën vërejtjen Arben Buzhalës për parkim të parregullt dhe i kërkuan të largonte automjetin. Sipas Policisë, ai refuzoi t’u dorëzonte dokumentet e automjetit dhe nisi t’i ofendonte e t’i kanoste zyrtarët policorë.
Rreth 20 minuta më vonë, në Stacionin Policor në Malishevë mbërriti edhe vëllai i tij, Besim Buzhala, i cili, sipas hetimeve, tentoi të hynte me forcë në objekt për ta nxjerrë vëllain. Edhe pse policët i kërkuan të qetësohej, ai dyshohet se i kanosi dhe i sulmoi fizikisht me duar zyrtarët policorë.
Si pasojë e incidentit, tre zyrtarë policorë pësuan lëndime trupore dhe kërkuan trajtim mjekësor. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj dy vëllezërve është iniciuar procedurë për veprat penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare” dhe “Sulmi ndaj personit zyrtar”.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se Arben dhe Besim Buzhala janë ndaluar për 48 orë, ndërsa rasti do të procedohet në procedurë të shpejtë. Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
