Shpërndaje në: Grupi i tifozëve të Spartak Moskës, “Crazy North”, është deklaruar kundër transferimit të sulmuesit kosovar të Rubin Kazanit, Mirlind Daku. Daku është përshëndetur me Rubin Kazanin dhe pritet të prezantohet te Spartaku. Ky tifo-grup, që si shumica e tifo-grupeve ruse ka qëndrim pro-serb, ka bërë të qartë qëndrimin kundër sulmuesit të Shqipërisë.
“Shprehim kundërshtimin tonë të plotë ndaj transferimit të mundshëm të Mirlind Dakut në klubin tonë. Bazuar në të kaluarën e shqiptarit, parashikojmë një sërë problemesh brenda një ekipi që aktualisht është i aftë të përballet me sfida serioze. Pavarësisht bojkotit të ndeshjeve të ekipit të parë, ne mbështesim popullin vëllazëror të Serbisë.
Pavarësisht se sa i mirë mund të jetë një transferim potencial sipas standardeve të kampionatit, parimet duhet të kenë përparësi mbi rezultatet hipotetike. Daku nuk duhet të jetë në ekipin tonë”, shkruan në një deklaratë të “Crazy North”, të publikuar të hënën në mëngjes nga mediumit rus “Sport-Express”.
Daku ka shkëlqyer në futbollin rus, por jo të gjithë janë pajtuar me zgjedhjen e tij për të luajtur në Kampionatin e Rusisë.
