Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se në fshatin Jabukë të Zubin-Potokut është gjetur një tjetër varr masiv me mbetje mortore, të cilat, sipas tij, u përkasin viktimave të luftës së fundit në Kosovë.
Përmes një postimi në Facebook, Sveçla ka thënë se zbulimi është bërë rreth 10 kilometra larg vendit ku ditë më parë janë gjetur mbetje mortore në një varr masiv në Kalludër të Zubin-Potokut. Ai ka bërë të ditur se kërkimet dhe gjurmimet në Kalludër janë ende duke vazhduar.
“Pas gjetjes së mbetjeve mortore në një varr masiv në Kalludër të Zubin-Potokut, ku ende po vazhdojnë kërkimet dhe gjurmimet, sot, vetëm 10 kilometra më tutje, në fshatin Jabukë të po kësaj komune, u gjet edhe një varr tjetër masiv me mbetje mortore të viktimave të luftës së fundit në Kosovë”, ka shkruar Sveçla.
Ai ka falënderuar Policinë e Kosovës, njësitë për hetimin e krimeve të luftës, Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe Prokurorinë e Kosovës për punën në hulumtimin, hetimin dhe identifikimin e lokacioneve. Më tej, Sveçla ka drejtuar akuza ndaj Serbisë lidhur me trajtimin e çështjes së personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
“Serbia vazhdon të mbetet e njëjtë si në kohën e Millosheviqit, jo vetëm përmes figurave si Aleksandar Vuçiqi dhe Ivica Daçiqi”, ka deklaruar ai. Sipas Sveçlës, Serbia “refuzon të japë informacione për personat e zhdukur, të marrë me dhunë”, ndërsa, siç pretendon ai, “kërcënon dhe burgos qytetarët e saj që bashkëpunojnë për gjetjen e këtyre varreve”.
Sveçla ka bërë thirrje edhe ndaj partnerëve ndërkombëtarë që, sipas tij, të dënojnë dhe ndëshkojnë Serbinë për këtë qasje. “Ftoj partnerët ndërkombëtarë të dënojnë dhe ndëshkojnë ashpër këtë sjellje të Serbisë. Pa një gjë të tillë jo që do të jetë i pamundur çfarëdo hapi drejt të drejtësisë, por ky shtet do të cenojë çdo ditë paqen në Ballkanin Perëndimor”, ka shkruar ai.
Në fund, Sveçla ka thënë se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë kërkimet për personat e vrarë dhe të zhdukur gjatë luftës.
“Ne mbetemi të përkushtuar dhe të palëkundur për të gjurmuar çdo pëllëmbë, në mënyrë që të zbardhim fatin e secilit person të vrarë dhe zhdukur nga shteti serb gjatë luftës së fundit në Kosovë dhe të sjellim para drejtësisë secilin kriminel përgjegjës për krimet e asaj kohe”, ka përfunduar Sveçla.
