Mbrëmjen e së shtunës është arrestuar Jugosllav Radeviç, kjo pas një aksioni të zhvilluar nga Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale. Aksioni është zhvilluar në lokacione të ndryshme, ndërsa arrestimi i tij lidhet me dyshimet për kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.
Autoritetet kanë bërë të ditur se hetimet për rastin janë në vazhdim dhe, për shkak të ruajtjes së integritetit të procedurës, nuk janë bërë publike më shumë detaje, ndërsa sipas raportimeve Jugosllav Radeviq dyshohet të jetë i përfshirë edhe në rastin e Kalludrës, ku autoritetet po zhvillojnë hetime dhe gërmime pas dyshimeve për ekzistimin e një varreze masive të personave të zhdukur gjatë luftës.
Procesi i kërkimeve të mbetjeve mortore në Kalludër të Zubin Potokut është duke vazhduar, dhe pritet të vazhdojë për javë apo edhe muaj. Të shtunën, kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka bërë të ditur gjatë gërmimeve në Kalludër të Zubin Potokut janë zbuluar mbetje të reja mortore.
“Sa ishim ne aty, u zbuluan edhe disa koka të reja, meqenëse gërmimet po vazhdojnë”, tha Kurti gjatë vizitës në lokacion. Ai bëri të ditur se mbetjet mortore janë gjetur të shpërndara pranë një përroi, gjë që sipas tij e vështirëson procesin e zhvarrimit dhe identifikimit.
“Me shumë gjasa, në stinën e pranverës përroi ka lëvizur trupat, prandaj edhe nëse janë varrosur në të njëjtin vend, ato mund të mos jenë më aty”, u shpreh ai. Kurti tha se identifikimi i mbetjeve do të bëhet vetëm pas analizave të ADN-së, ndërsa dyshohet se ato mund t’i përkasin grupit të 23 intelektualëve shqiptarë të rrëmbyer dhe ekzekutuar në prill të vitit 1999.
“Tash do të vazhdojnë këto gërmime edhe shumë javë, ndoshta edhe shumë muaj, meqenëse eshtrat e gjetura janë të shpërndara dhe janë buzë një përroi, i cili me shumë gjasa në stinën e pranverës është një përrua i fuqishëm dhe në këtë mënyrë trupat, edhe nëse janë varrosur në të njëjtin vend, mund të mos jenë aty”.
Ai foli edhe për proceset gjyqësore që lidhen me krimet e luftës, duke akuzuar Serbinë se po arreston persona që kanë dhënë informacione për krimet” tha ai. Ai falënderoi ekspertët e Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe të EULEX për punën në terren, duke theksuar se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë të mbështesin procesin deri në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur nga lufta.
Kurse, ish- eprori i UÇK-së, Naim Miftari, ka dhënë më tepër detaje rreth të arrestuarit Radeviç. Ai për “Bota sot”, ka thënë se i arrestuari ka shërbyer si zjarrfikës në Zubin Potok, gjersa kërkon të dihet se me kë ka qenë dhe kush tjetër ka marrë pjesë në pushkatimin e 23 intelektualëve të Mitrovicës.
“Pyeteni Jugosllav Radeviç, një paramilitar, roje e urës dhe pjesëtar i mbrojtjes civile, të cilin Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiçi e kanë pranuar në organet e sigurisë së Kosovës. Sot ai është zjarrfikës serb në Zubin Potok. Pyeteni se me kë ka qenë dhe kush tjetër ka marrë pjesë në pushkatimin e 23 intelektualëve të Mitrovicës!
Pyesni kush është shqiptari nga Runiku dhe si kishin kontaktuar një “shumar” serb, mik të babait, që ai t’ua tregonte rrugën për në Mal të Zi. Ky serb kishte radiolidhje të policisë serbe dhe i kishte njoftuar forcat serbe për grupin dhe drejtimin e tyre.
Pyesni se si kishte shpëtuar Faruk Spahiu, kryetari i Mitrovicës, me disa pjesëtarë të tjerë, ndoshta tre apo katër veta; kush nga komandantët serbë i kishte ndihmuar dhe i kishte liruar nga stacioni i policisë serbe në Mitrovicë ditën e nesërme” , thotë Miftari.
Tutje, duke komentuar deklaratën e kryetarit të Skënderajt, Sami Lushtaku, i cili kishte dalë në vendin e gërmimeve dhe deklaruar se arrestimet e serbëve për krime lufte duhet të vazhdojnë, Miftari, kërkon të mos bëhen filma.
Ai ka lutur ministrat e qeverisë së Kosovës dhe opozitën të të insistojnë me ngulm që puna të vazhdojë pa ndërprerje nga forenzika, mjekësia ligjore dhe të gjitha degët përkatëse për verifikimin e viktimave. “Verifikoni mbetjet mortore në veri dhe mos bëni filma!
I lus ministrat e Qeverisë së Kosovës, por edhe politikanët e opozitës, të mos bëjnë defile dhe ekzibicione në vendin ku dyshohet se ndodhet një varr masiv i civilëve shqiptarë të luftës 1998–1999, por të insistojnë me ngulm që puna të vazhdojë pa ndërprerje nga forenzika, mjekësia ligjore dhe të gjitha degët përkatëse për verifikimin e viktimave.
Mos bëni filma dhe mos luani rolin e patriotëve, por tregoni rezultate për këtë temë të dhimbshme sa më shpejt!”, përfundon Miftari.
