Kombëtarja e Italisë po e pret një periudhë të vështirë, gjatë së cilës “Azzurrët”, nën drejtimin e Roberto Mancinit, do të përpiqen të rikthehen në rrugën e fitoreve pas zhgënjimit të madh, pasi nuk arritën të kualifikohen për Kampionatin Botëror 2026. Ky ishte Botërori i tretë radhazi që Italia e ndoqi nga ekranet televizive.
Legjenda e futbollit italian, Gianluigi Buffon, beson se Mancini është trajneri i duhur për të sjellë përmirësime. “Mancini është një taktik i mirë dhe sigurisht do të sjellë një hap përpara. Largimi i tij para tre vitesh la një njollë, sepse për mua, si njeri, besnikëria është mbi gjithçka tjetër.
Në fund të fundit, unë hoqa dorë nga paratë dhe qëndrova te Juventusi edhe kur klubi luante në Serie B”, tha Buffon. Ish-portieri theksoi se problemet e futbollit italian janë shumë më të thella dhe nuk mund të zgjidhen vetëm me ndryshimin e trajnerit, madje as nëse në stol do të ishte Pep Guardiola, emri i të cilit u përmend gjatë kësaj vere.
“Nëse do të vinte Guardiola, padyshim që do të ishte një përforcim i madh, sepse do të sillte energji dhe entuziazëm të ri për të gjithë ne që jemi të lidhur me futbollin italian. Megjithatë, duhet të jemi realistë – edhe me Pepin në stol, suksesi nuk do të ishte i garantuar. Të gjithë duhet të punojmë shumë për ta nxjerrë futbollin italian nga kjo situatë.
Një njeri i vetëm nuk mund ta gjejë zgjidhjen”, përfundoi Buffon.
