“Mos ia ndal dhimbjen fëmijës pa diagnozë”, flet kirurgu abdominal

0%

Dhimbja e barkut te fëmijët nuk duhet të trajtohet menjëherë me barna pa u ditur shkaku i saj, sidomos kur ekziston dyshimi për apendicit. Kështu ka thënë kirurgu abdominal, Ymer Durmishi, në episodin e 82-të të podcastit “Shëndeti në rend të parë”, i përkrahur nga .

Duke folur për simptomat abdominale që nuk duhet të neglizhohen, Durmishi tha se marrja e barnave pa diagnozë mund ta fshehë përkohësisht problemin, por jo ta zgjidhë atë. “Nuk është mirë me prit shumë, nuk është mirë me u marrë me terapi popullore”, tha ai, duke shtuar se nuk është kundër terapisë popullore, por sipas tij “nuk është mirë me marrë me terapi popullore pa e ditë shkaktarin”.

Kirurgu abdominal paralajmëroi se në disa raste barnat mund ta vështirësojnë punën e mjekut, sepse e përmirësojnë përkohësisht gjendjen e pacientit, ndërsa procesi inflamator vazhdon. “Nuk është mirë me marrë barna të cilat në njëfarë mënyre jo që na ndihmojnë, por na e vështirësojnë punën tonë”, u shpreh Durmishi.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Ai solli si shembull apendicitin, ku sipas tij dhënia e barnave për uljen e temperaturës apo qetësimin e dhimbjes mund ta maskojë gjendjen reale të fëmijës. “Nëse ka një dhimbje dhe dyshohet në apendicit, nuk është mirë me i dhënë barna. Më mirë është me e observu”, tha ai.

Sipas Durmishit, problemi qëndron te fakti se barnat mund ta ulin temperaturën dhe ta ndalin dhimbjen, ndërsa inflamacioni vazhdon deri në përkeqësim. “Jepen barna të cilat e zbresin temperaturën, procesi inflamator vazhdon, por fëmija është më mirë, po vrapon, sepse ka marrë ilaçe.

Ia ka ndalë dhimbjen, ia ka hequr temperaturën, por procesi inflamator deri në shpërthim edhe absces të apendiksit ndodh”, theksoi ai. Durmishi tha se në raste të tilla është më mirë që fëmija të mbahet nën vëzhgim dhe të kontrollohet sërish, në vend që simptomat të mbulohen me barna pa e ditur shkakun.

“Më mirë është me thanë: shiko, nuk e di çka ke, nuk duket diçka rëndë, eja nesër të ekzaminoj prapë”, tha ai, duke shtuar se nëse gjatë natës paraqitet temperatura, atëherë gjendja mund të jetë më serioze. Ai paralajmëroi se kur fëmija arrin te mjeku pasi i janë maskuar simptomat, rasti mund të jetë tashmë më i komplikuar.

“Nëse i jep barna dhe fëmija është më mirë, nëna jep edhe një pastaj, kur vjen te ne, vjen pastaj me absces”, tha Durmishi. Sipas tij, trajtimi i apendicitit të thjeshtë dhe trajtimi i një abscesi nuk janë të njëjta, pasi pasojat e abscesit mund të jenë më të rënda dhe të përhapen në gjithë abdomenin. “Trajtimi i një abscesi dhe një apendiksi nuk është njësoj.

Pasojat e abscesit janë shumë më të mëdha, se përhapen krejt abdomenin”, deklaroi kirurgu. Në anën tjetër, ai theksoi se kur apendiksi diagnostikohet me kohë, trajtimi mund të jetë shumë më i lehtë dhe më i shpejtë. Për më shumë shikoni të plotë podcastin “Shëndeti në rend të parë”:

Burimi: Telegrafi