Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se ka vendosur ta “pezullojë” çdo sulm të ri të mundshëm kundër Iranit, duke theksuar se është arritur pajtueshmëri me Teheranin për “pikat kryesore” të një marrëveshjeje, dhe se edhe Izraeli i është bashkuar këtij angazhimi.
“SHBA-ja është plotësisht e gatshme dhe e përgatitur për të vepruar kundër Republikës Islamike të Iranit, me nivele të terrorit ushtarak, forcës dhe fuqisë, që nuk janë parë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Pavarësisht kësaj, Irani dhe vende të tjera të Lindjes së Mesme sapo na kanë kërkuar të përmbahemi nga çdo sulm, pasi është arritur pajtim për pikat e një marrëveshjeje”, shkroi Trump në platformën Truth Social të shtunën vonë. “Kjo do të përfshinte hapjen e menjëhershme, të plotë dhe të pakushtëzuar të Ngushticës së Hormuzit, si dhe fundin e kërcënimit bërthamor të Iranit”, shtoi ai.
“Në bazë të kësaj kërkese, kam pranuar, për të mirën e botës dhe po ashtu për mbijetesën e një Irani të suksesshëm dhe të begatë, ta anuloj sulmin, me kusht që të mund ta arrijmë shpejt një marrëveshje”, shkroi ai, duke shtuar se Izraeli i bashkohet këtij “angazhimi”.
Trump ka kërcënuar shpesh me sulme të mëdha ndaj Iranit, por pastaj i ka anuluar ato duke pretenduar se Uashingtoni dhe Teherani ishin afër arritjes së marrëveshjes. Deri më tani, palët kanë dështuar të arrijnë marrëveshje të qëndrueshme për paqe, ndërsa sulmet hakmarrëse nga të dyja palët kanë rifilluar vazhdimisht.
Edhe pse fillimisht Trump tha se eliminimi i kërcënimit bërthamor të Teheranit ishte synimi kryesor i luftës SHBA-Izrael kundër Iranit, e cila nisi më 28 shkurt, javët e fundit ai është përqendruar te qarkullimi i lirë i anijeve në Ngushticën e rëndësishme të Hormuzit.
Para luftës, më shumë se 20 për qind e furnizimeve botërore me naftë dhe gaz kalonin përmes kësaj ngushtice, por Irani herë pas here e ka bllokuar këtë rrugë ujore, përfshirë përmes sulmeve ndaj anijeve për të cilat pretendonte se nuk kishin marrë leje nga Teherani. Irani ka kërcënuar gjithashtu se do të vendosë tarifa ose pagesa kalimi për anijet që përdorin ngushticën.
Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera kanë këmbëngulur se Ngushtica e Hormuzit është rrugë ujore ndërkombëtare dhe nuk është nën kontrollin e asnjë shteti. Uashingtoni dhe Teherani nënshkruan një memorandum mirëkuptimi 60-ditor më 17 qershor, me synim përfundimin e armiqësive dhe rihapjen e ngushticës.
Megjithatë, mosmarrëveshjet mbi interpretimin e kushteve të marrëveshjes kanë çuar në sulme të reja nga të dyja palët. Trump i tha Axiosit më 23 korrik se po shqyrtonte seriozisht “një sulm masiv” ndaj Iranit.
Por, më vonë u tërhoq nga ky kërcënim, duke deklaruar më 27 korrik se një rund i ri bisedimesh me Iranin mund të sillte përparim, megjithëse ka lënë gjithmonë të hapur mundësinë e sulmeve të tjera.
Izraeli, i cili po zhvillon një luftë tjetër kundër militantëve të Hezbollahut në Liban, shpesh ka kundërshtuar marrëveshjet e paqes të propozuara nga administrata amerikane, duke thënë se do t’i vazhdojë sulmet për aq kohë sa ta konsiderojë të nevojshme. Hezbollahu, i mbështetur nga Irani, është grup militant dhe parti politike që kontrollon pjesë të mëdha të Libanit jugor.
Ai konsiderohet organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Bashkimi Evropian e ka futur në listën e zezë krahun e tij të armatosur, por jo edhe degën e tij politike. / REL
