Pse u zgjodh Shkodra për konsullatën serbe? Flet publicisti Hyseni

0%

Gjatë javës së kaluar u bë e ditur se Shqipëria dhe Serbia kanë arritur një marrëveshje në parim për hapjen e konsullatave në Shkodër dhe Bujanoc. Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka thënë se Shqipëria ka kërkuar hapjen e një Konsullate të Përgjithshme në Luginën e Preshevës, ndërsa Serbia ka kërkuar hapjen e një Konsullate të Përgjithshme në Shkodër.

“Shqipëria ka kërkuar hapjen e një Konsullate të Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë në Luginën e Preshevës. Serbia, nga ana e saj, ka kërkuar hapjen e një Konsullate të Përgjithshme në Shkodër. Nëse dhe kur palët të bien dakord për çdo aspekt dhe detaj të këtij procesi, në momentin e duhur do të ndërmerren veprimet përkatëse”, ka shkruar Hoxha në Facebook.

Hapja e Konsullatës së Serbisë në Shkodër ka shkaktuar reagime dhe diskutime të shumta në opinionin shqiptar, për shkak të rëndësisë historike të qytetit dhe zhvillimeve të ndjeshme politike në rajon.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Lidhur me këtë çështje, publicisti Nehat Hyseni, në një prononcim për “Bota sot”, vlerëson se ky zhvillim nuk mund të shihet vetëm si një hap formal në marrëdhëniet diplomatike mes dy shteteve, por duhet të analizohet edhe në raport me historinë, kujtesën kolektive dhe zhvillimet aktuale politike.

Nehat Hyseni Ai ka thënë se vendi ku është zgjedhur të hapet kjo përfaqësi diplomatike ka një peshë të veçantë simbolike. “Ka ngjarje politike që, në pamje të parë, mund të duken si procedura të zakonshme diplomatike, por që, për shkak të vendit ku ndodhin dhe simbolikës që mbartin, marrin një domethënie shumë më të gjerë.

Hapja e Konsullatës së Serbisë në Shkodër është një prej këtyre rasteve. Nga pikëpamja formale, hapja e një konsullate është pjesë e marrëdhënieve ndërmjet shteteve sovrane. Megjithatë, diplomacia nuk zhvillohet vetëm nëpërmjet dokumenteve dhe protokolleve.

Ajo ndërtohet edhe mbi kujtesën historike, simbolikën kombëtare, ndjeshmërinë e opinionit publik dhe besimin reciprok” , ka theksuar Hyseni. Sipas tij, pikërisht për shkak të këtij konteksti, vendimi për hapjen e kësaj konsullate nuk është parë nga të gjithë si një çështje thjesht administrative.

“Për shumë qytetarë, analistë dhe intelektualë shqiptarë, ky nuk është thjesht një akt administrativ, por një veprim që ngre pikëpyetje të rëndësishme politike dhe kombëtare. Shkodra nuk është një qytet si gjithë të tjerët. Ajo është një prej themeleve të identitetit kombëtar shqiptar.

Historia e saj është e lidhur ngushtë me rezistencën kundër pushtimeve, me mbrojtjen e trojeve shqiptare, me zhvillimin e arsimit, kulturës, letërsisë dhe jetës fetare”, ka shtuar ai. Gjithashtu, Hyseni vlerëson se simbolika e qytetit ndikon drejtpërdrejt në mënyrën se si perceptohet një vendim diplomatik.

“Pikërisht kjo peshë historike bën që çdo vendim politik apo diplomatik që lidhet me Shkodrën të shihet përtej dimensionit të tij formal. Në politikën ndërkombëtare, simbolika shpesh ka ndikim po aq të madh sa vetë aktet juridike.

Prandaj, zgjedhja e një qyteti të tillë për hapjen e një përfaqësie diplomatike të Serbisë ka shkaktuar pyetje dhe reagime në opinionin publik”, ka potencuar Hyseni. Ai është ndalur edhe te marrëdhëniet Kosovë–Serbi dhe ndikimi që ato kanë në perceptimin e këtij zhvillimi.

“Kjo pyetje bëhet edhe më e rëndësishme në rrethanat aktuale, kur Serbia vazhdon të mos e njohë pavarësinë e Kosovës, ndërsa dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës vazhdon të përballet me vështirësi të shumta.

Në të njëjtën kohë, shqiptarët në Luginën e Preshevës vazhdojnë të ngrenë shqetësime për realizimin e të drejtave të tyre politike, arsimore, kulturore dhe institucionale” , shprehet ai. Sipas tij, këto rrethana kanë bërë që një pjesë e opinionit publik ta shohë hapjen e konsullatës si një veprim me mesazh politik.

“Në këtë kontekst, nuk është e pazakontë që një pjesë e opinionit publik ta interpretojë hapjen e kësaj konsullate jo vetëm si një zhvillim diplomatik, por edhe si një mesazh politik. Kjo nuk do të thotë se një interpretim i tillë është i vetmi i mundshëm, por shpjegon arsyet pse vendimi ka shkaktuar debat dhe pse shumë qytetarë kërkojnë më shumë sqarime nga institucionet”, thekson Hyseni.

Tutje, Hyseni trajton edhe dimensionin diplomatik të hapjes së një konsullate, duke theksuar se një institucion i tillë mund të ketë funksione praktike. “Nga këndvështrimi diplomatik, hapja e një konsullate mund të shihet si përpjekje për të forcuar komunikimin institucional dhe për të lehtësuar marrëdhëniet dypalëshe.

Konsullatat zakonisht shërbejnë për çështje praktike si vizat, bashkëpunimi ekonomik, kulturor dhe mbështetja e qytetarëve. Megjithatë, në rajone me histori të ndërlikuar si Ballkani, çdo vendim i tillë ka edhe një dimension gjeopolitik”, deklaron ai. Po ashtu, ai kritikon edhe mungesën e një komunikimi më të gjerë publik nga institucionet shqiptare.

“Një nga debatet më të rëndësishme që ka shoqëruar këtë çështje lidhet me mënyrën se si është menaxhuar ajo nga institucionet shqiptare. Kritikat kryesore fokusohen te mungesa e një koordinimi më të gjerë kombëtar dhe transparencës publike.

Shumë zëra në opinionin publik kanë ngritur pyetjen nëse vendime të tilla duhet të diskutohen më gjerësisht në nivel institucional, duke përfshirë jo vetëm qeverinë, por edhe faktorë të tjerë politikë, diplomatikë dhe shoqërorë” , potencon ai.

Në fund, Hyseni thekson se debati për Konsullatën e Serbisë në Shkodër nuk duhet të shihet vetëm si një çështje diplomatike, por si pjesë e një diskutimi më të gjerë për politikën e jashtme shqiptare. “Debati rreth hapjes së Konsullatës së Serbisë në Shkodër dëshmon se politika e jashtme nuk është vetëm çështje protokollesh dhe marrëveshjesh.

Ajo lidhet edhe me kujtesën historike, identitetin kombëtar, perceptimin publik dhe besimin që qytetarët kanë ndaj institucioneve të tyre.

Vetëm përmes transparencës, argumentit dhe respektimit të ndjeshmërive historike mund të ndërtohet një politikë e jashtme që gëzon besimin e qytetarëve dhe që i shërben interesave afatgjata të Shqipërisë, Kosovës dhe stabilitetit të rajonit”, përfundon Hyseni për “Bota sot”.

Burimi: Bota Sot