Superliga e Kosovës nis një epokë të re, ndeshjet nën reflektorë po

0%

Edicioni i ri i Superligës së Kosovës pritet të sjellë një ndryshim të madh në aspektin infrastrukturor, pasi disa stadiume do të pajisen me reflektorë, duke krijuar mundësinë që ndeshjet e elitës së futbollit kosovar të zhvillohen edhe në orët e mbrëmjes.

Projekti, i cili synon të përmirësojë kushtet për klubet, futbollistët dhe tifozët, u konfirmua fillimisht nga kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, në emisionin SportCast. Tashmë edhe drejtues komunalë kanë bërë të ditur se punimet kanë nisur në terren dhe reflektorët pritet të jenë funksionalë që në javët e para të kampionatit të ri.

Sipas Ademit, stadiumet në Skenderaj, Klinë dhe Gjilan janë të parat që do të pajisen me ndriçim. “Po, është konkrete. Tashmë në Skenderaj kanë arritur dritat, po ashtu edhe në Klinë te Dukagjini dhe në Gjilan. Këto janë tri stadiumet e para që do të bëhen.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Më pas besoj se do të realizohen edhe tri të tjera.” “Shpresoj që nga mesi i sezonit të jenë gati edhe ato, ndërsa këto tri, nëse komunat dhe klubet kryejnë pjesën e tyre të punës, do të përfundojnë shumë shpejt. Sa i përket reflektorëve, ata tashmë kanë ardhur, ndërsa për tri stadiumet e tjera do të nisin brenda afatit dhjetëditor”, deklaroi Ademi.

Një nga projektet më të avancuara është ai në Gjilan. Drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Gjilanit, Kushtrim Zeqiri, bëri të ditur se investimi kap vlerën e rreth 200 mijë eurove dhe pritet të përfundojë në fund të muajit gusht. “Sa i përket stadiumit me bar sintetik ku ekipet e Superligës i zhvillojnë ndeshjet, tashmë ka filluar investimi nga Federata e Futbollit të Kosovës.

Ky projekt do të realizohet në pesë komuna, ndërsa Gjilani është njëra prej tyre”. “Vlera e projektit në Gjilan është rreth 200 mijë euro dhe sipas dinamikës së punimeve pritet të përfundojë në fund të muajit gusht. Ky investim do t’i përmirësojë ndjeshëm kushtet për zhvillimin e ndeshjeve dhe do të krijojë mundësinë që kampionati i Superligës të zhvillohet nën ndriçim”.

“Kjo automatikisht e rrit standardin e garave dhe përmirëson përvojën për futbollistët, klubet dhe tifozët. Nëse punimet ecin sipas planit, nga java e dytë e Superligës ndeshjet do të mund të zhvillohen me reflektorë të instaluar dhe ndriçim standard”, tha Zeqiri.

Edhe drejtori për Sport në Komunën e Klinës, Lorenc Marku, e cilësoi projektin si një hap të rëndësishëm për futbollin vendor, duke theksuar se zhvillimi i ndeshjeve në mbrëmje do të jetë më i favorshëm si për futbollistët ashtu edhe për tifozët.

“Është një mundësi shumë e mirë që ndeshjet të zhvillohen gjatë mbrëmjes, sidomos për shkak të temperaturave të larta gjatë verës, të cilat ndikojnë si te lojtarët, ashtu edhe te shikuesit.” “Kur ndeshjet zhvillohen në mbrëmje, kjo ndikon pozitivisht edhe në numrin e tifozëve në tribuna.

Tifozët e Klinës gjithmonë e mbështesin Dukagjinin, por kushtet më të mira padyshim do ta rrisin edhe më shumë interesimin.” “Përveç kësaj, infrastruktura e përmirësuar krijon mundësi edhe për organizimin e ndeshjeve ndërkombëtare, ndaj ky është një investim shumë i mirëpritur”, u shpreh Marku.

Ndërkohë, Agim Ademi konfirmoi se projekti nuk do të ndalet vetëm te këto stadiume, pasi Federata e Futbollit të Kosovës synon që edhe impiante të tjera të pajisen me reflektorë.

Me këtë investim, FFK synon të ngrejë standardet infrastrukturore të futbollit kosovar dhe t’i afrojë stadiumet me kriteret moderne, ndërsa zhvillimi i ndeshjeve nën reflektorë pritet t’u ofrojë klubeve, futbollistëve dhe tifozëve një përvojë krejtësisht të re./ Telegrafi

Burimi: Telegrafi