Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kanë njoftuar se është arrestuar edhe një person i dyshuar për krime lufte në komunën e Zubin Potokut. Sipas komunikatës së përbashkët, i dyshuari me inicialet J.R. është arrestuar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës, me urdhër të Prokurorisë Speciale.
“I dyshuari dyshohet se ka kryer veprën penale ‘Krime lufte kundër popullsisë civile’”, thuhet në komunikatë. Më tej, në njoftim bëhet e ditur se arrestimi është rezultat i një pune intensive hetimore të zhvilluar nga hetuesit policorë dhe Prokuroria Speciale, në kuadër të përkushtimit të vazhdueshëm institucional për hetimin dhe zbardhjen e krimeve të luftës.
Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale kanë bërë të ditur se hetimet lidhur me këtë rast do të vazhdojnë, ndërsa do të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme hetimore. “Lidhur me rastin, Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale do të vazhdojnë të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, për çka publiku do të njoftohet me kohë”, thuhet në komunikatën e përbashkët.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
