Milani ka nisur të planifikojë merkaton në rast të largimit të Rafael Leaos, ndërsa emri i Brahim Diaz është shfaqur si objektivi kryesor për të përforcuar repartin ofensiv. Sipas raportimeve të Corriere della Sera, drejtuesit e klubit italian e shohin mesfushorin ofensiv të Real Madridit si kandidatin ideal për të marrë rolin e organizatorit të lojës në skuadrën kuqezi.
Kuqezinjtë kishin tentuar më parë transferimin e talentit grek Konstantinos Karetsas, por ai zgjodhi Borussia Dortmundin, duke detyruar Milanin të fokusohet te alternativa të tjera. Në listën e klubit italian ndodhen edhe Ethan Nwaneri i Arsenalit dhe Matias Soule i Romës. Një rikthim i Brahim Diaz në “San Siro” do të ishte një histori e njohur për tifozët e Milanit.
Futbollisti spanjoll luajti me fanellën kuqezi nga viti 2020 deri në vitin 2023 në formë huazimi, duke zhvilluar 124 ndeshje, shënuar 18 gola dhe dhënë 15 asistime. Ai ishte një nga protagonistët e skuadrës që fitoi titullin e Serie A në sezonin 2021/22. Kontrata e Diaz me Real Madridin është e vlefshme deri në verën e vitit 2027.
Për shërbimet e tij ishte interesuar edhe Juventusi, por bardhezinjtë më pas ndryshuan objektiv dhe u fokusuan te Karim Alajbegovic i Bayer Leverkusenit. Ndërkohë, e ardhmja e Rafael Leaos mbetet çështja më e rëndësishme për Milanin. Sulmuesi portugez ka lënë të kuptohet se aventura e tij shtatëvjeçare në “San Siro” mund të marrë fund këtë verë.
Edhe pse preferenca e parë e Leaos ishte një transferim në Ligën Premier ose La Liga, mungesa e ofertave konkrete ka bërë që ai të shqyrtojë edhe mundësinë e një kalimi në kampionatin turk. Galatasaray është klubi që po monitoron nga afër situatën dhe pritet të bëjë një ofertë, duke synuar të përfitojë nga pjesëmarrja në edicionin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve.
