Nga: CNN Përktheu:
Blerta Haxhiu Shpërndaje në: E shqetësuar për sigurinë dhe mirëqenien e fëmijëve të saj, Debra Coltune mori vendimin që i ndryshoi jetën: la pas zhurmën, trafikun dhe ritmin e vrullshëm të Las Vegasit për t’u vendosur në Carloforte, ishull i vogël në brigjet e Sardenjës. Sot, ajo thotë se ka gjetur qetësinë, komunitetin dhe cilësinë e jetës që kishte kërkuar prej vitesh.
Për më shumë se një dekadë, jeta e Debra Coltunes sillej rreth ritmit të pamëshirshëm dhe trafikut të rënduar të Las Vegasit. Si prezantuese videosh dhe kritike ushqimi, ajo ndiente se ishte vazhdimisht në garë për të qëndruar një hap përpara, duke u përpjekur të balanconte punën me jetën familjare. Sot, ditët e saj nisin krejt ndryshe.
Çdo mëngjes ajo ecën drejt tregut lokal, ku banorët e përshëndesin ngrohtësisht me një “buongiorno”. Dy vjet më parë, e lodhur nga zhurma, dritat verbuese dhe ritmi i pandalshëm i Las Vegasit, ajo vendosi t’i linte pas të gjitha dhe të zhvendosej në Carloforte, një fshat i qetë në ishullin e vogël San Pietro, pranë brigjeve të ishullit të madh italian të Sardenjës.
“Las Vegasi ishte plot drita vezulluese, energji të pandërprerë dhe një ritëm jetese shumë të shpejtë”, thotë ajo. “Në krahasim me të, Sardenja është një vend i qetë. Ishulli ecën sipas ritmit të vet të ngadaltë, i rrethuar nga bukuri natyrore dhe një qetësi që ndihet në çdo aspekt të jetës së përditshme”.
Historia e ndryshimit të jetës së Coltune nisi në vitin 2023, kur ajo udhëtoi për arsye pune në ishullin e vogël San Pietro, në jugperëndim të Sardenjës, ku jetojnë më pak se 6 mijë banorë. Ajo ishte ftuar si anëtare e jurisë në festivalin lokal të peshkut ton në Carloforte, pa e imagjinuar se ai vend do të bëhej shumë shpejt shtëpia e saj.
Megjithatë, që në momentin e parë, ajo u dashurua me peizazhin piktoresk dhe ujërat e kristalta që rrethojnë ishullin. Jeta atje iu duk një kontrast i mrekullueshëm me rutinën e lodhshme dhe ankthin e përditshëm që përjetonte në Las Vegas.
Kështu, në vitin 2024, së bashku me fëmijët e saj, Aiden dhe Kaiya, si edhe me dy qenushët e racës poodle, vendosi të transferohej përgjithmonë në Carloforte. Edhe Botë 9 kor 2026 “Ishte një masakër”: Bandat në Haiti po kryejnë vrasje masive në mbarë vendin Ritmi i jetës në ishull Megjithatë, përshtatja nuk ishte e lehtë.
Ajo u përball me procedurat burokratike për të siguruar lejen e qëndrimit në Itali, si edhe me sfidat e tregut vendas të pasurive të paluajtshme. Fillimisht vendosi të marrë një banesë me qira, në vend që të blinte menjëherë një shtëpi.
Duke qenë e vetëdijshme për kontrastin e madh me jetën në Las Vegas, ajo dëshironte t’i jepte vetes dhe familjes kohë për të kuptuar nëse Carloforte ishte vendi i duhur për ta. “Duhej të njihja ritmin e jetës në ishull dhe të shihja se si do të përshtateshim unë dhe fëmijët e mi pas jetës mes dritave të mëdha dhe ritmit të vrullshëm të Las Vegasit”, shprehet ajo.
Në fillim, Coltune e tejkaloi buxhetin e saj duke paguar 2.500 dollarë në muaj për një vilë tradicionale buzë detit. Edhe pse kjo konsiderohej një qira e lartë për standardet e ishullit, ajo ishte gjithsesi më e favorshme se kostot e jetesës në Las Vegas. Shtëpia plot hijeshi i ofroi familjes një fillim të qetë dhe e bindi se ia vlente të qëndronte.
Pasi vendosi se Carloforte ishte vendi ku donte të jetonte, ajo gjeti një banesë tjetër shumë më ekonomike, me një qira mujore prej vetëm 800 dollarësh. “Tani që jemi vendosur këtu, jam gati të hedh hapin tjetër – të kërkoj në mënyrë aktive një shtëpi për ta blerë, ku të mund të krijojmë rrënjë dhe ta bëjmë këtë ishull të vogël shtëpinë tonë përgjithmonë”.
“Përveç kësaj, e dija se duhej ta shihja gjithçka me sytë e mi përpara se të merrja një vendim përfundimtar, vetëm për t’u bindur se ishte e vërtetë”, shton ajo. Edhe pse e ka mbajtur ende shtëpinë në Las Vegas dhe kthehet shpesh për të vizituar familjarët, përfshirë edhe dy fëmijët e saj më të mëdhenj, Coltune thotë se Carloforte është vendi ku ndihet vërtet si në shtëpi.
I mbrojtur kryesisht nga turizmi masiv dhe luksi që karakterizon Bregun Emerald në veri të Sardenjës, Carloforte ka mbetur pothuajse i pandryshuar nga zhvillimet moderne. Fshati është vendi i fundit në Itali ku vazhdon të praktikohet metoda tradicionale e kapjes së tonit, një teknikë peshkimi që konsiderohet më e qëndrueshme dhe më miqësore me mjedisin sesa shumë metoda moderne.
Jeta në një “zonë blu” Tradita kulinare e ishullit është ndërtuar mbi peshkimin e tonit dhe produktet e freskëta që ofron deti. Pikërisht kjo dietë konsiderohet një nga arsyet pse zona klasifikohet si një “zonë blu” – rajon ku, sipas studiuesve, kombinimi i stilit të jetesës, ushqimit, mjedisit dhe faktorëve gjenetikë bën që banorët të jetojnë më gjatë dhe me shëndet më të mirë.
“Një nga arsyet kryesore pse vendosëm të shpërnguleshim ishte dëshira për të përqafuar një mënyrë jetese më të shëndetshme, në një zonë të vërtetë blu, ku jetëgjatësia dhe mirëqenia janë pjesë e përditshmërisë”, thotë Coltune. “Zgjodha Sardenjën dhe Carloforten sepse kërkoja një jetë më të shëndetshme dhe më të qetë.
Kjo është pikërisht jeta e qetë dhe pa stres që kërkoja në një ishull të bukur”. Edhe pamja e Carlofortes është e veçantë. Godinat me ngjyra pastel zbukurohen me elemente arkitekturore që të kujtojnë më shumë qytetin verior italian të Gjenovës. Kjo trashëgimi vjen nga shekulli i 18-të, kur kolonët nga Gjenova u vendosën në ishull.
Rutina e përditshme e Coltunes në Carloforte nuk ka pothuajse asnjë ngjashmëri me jetën që bënte dikur në Shtetet e Bashkuara. “Mëngjeset këtu janë magjike”, thotë ajo. Çdo ditë ajo ecën drejt tregut lokal, duke shijuar flladin e lehtë të detit dhe rrezet e diellit. “Gjithçka ndodhet shumë pranë, ndaj ecja është bërë diçka krejt e natyrshme në ishull.
Aktiviteti fizik është pjesë e jetës së përditshme dhe nuk ndihet aspak si detyrim”. Edhe Botë 18 kor 2026 Zemërim mes gërmadhave të një kompleksi banesash në Venezuelën e goditur nga tërmetet Ky realitet është krejt ndryshe nga ai që përjetonte në Las Vegas, ku çdo ditë niste duke hipur në makinë për t’u përballur me trafik të rënduar.
Ecja ishte e rrallë, madje edhe për të bërë pazaret e zakonshme duhej të përdorte makinën. Ndonjëherë, ajo pranon se i mungon BMW X5 e saj e madhe dhe komode që drejtonte në Amerikë. Në Carloforte, tani përdor një Citroen më të vogël dhe praktik, shumë më të përshtatshëm për rrugicat e ngushta të ishullit.
Në fakt, shpesh nuk ka fare nevojë ta përdorë makinën dhe zakonisht e merr vetëm kur hipën në traget për të udhëtuar drejt pjesës kontinentale të Sardenjës. Malli për komoditetet e luksit “Nuk do të gënjej, më mungojnë disa nga komoditetet që ofron jeta në Shtetet e Bashkuara, si qendrat e mëdha tregtare ku gjithçka e ke në një vend, apo rrugët e gjera.
Por, sinqerisht, ky ishull më mbush me aq shumë lumturi”, thotë ajo. “Më jep një ndjenjë qetësie dhe ekuilibri që Las Vegasi nuk ma dha kurrë”. Një tjetër avantazh i madh i jetës në Carloforte është kostoja më e ulët e jetesës. Mundësia për të jetuar pranë detit dhe për të konsumuar produkte të freskëta vendase, me cilësi të lartë, është plotësisht brenda mundësive të saj financiare.
Për Coltune, kjo përfaqëson një ndryshim rrënjësor nga realiteti ekonomik që kishte përjetuar në Shtetet e Bashkuara. Në ishull, ajo ka gjetur mundësi të reja pune. Aktualisht punon si promotore e aktiviteteve për festivalin vjetor të tonit, “Girotonno”, ndërsa njëkohësisht ofron konsulencë për restorantet lokale.
Si pjesë e përpjekjeve për t’u integruar në kulturën vendase, Coltune ka zgjedhur të ndajë me banorët edhe traditat e vendit të saj. Prej dy vjetësh, ajo porosit gjela deti dhe organizon një darkë tradicionale për Ditën e Falënderimeve, ku marrin pjesë deri në 30 persona – shumë prej tyre tashmë miq të ngushtë që ka krijuar në ishull. Një tjetër sfidë për të është mësimi i gjuhës italiane.
Ajo ndjek rregullisht kurse dhe përpiqet të praktikojë gjuhën duke biseduar me miqtë vendas, të cilët rrallë flasin anglisht. Megjithatë, pranon se fëmijët po e tejkalojnë me shpejtësi. Sidomos djali i saj, i cili, falë mësimeve private, po përparon ndjeshëm në zotërimin e gjuhës.
Edhe pse fillimi nuk ishte i lehtë, Coltune thotë se fëmijët e saj krijuan shpejt shoqëri dhe u përshtatën me jetën e re. Deri në fund të verës, të dy do të ndjekin plotësisht sistemin arsimor publik të Carlofortes.
Ajo thotë se shkollat në ishull i duken shumë më të sigurta sesa ato në Shtetet e Bashkuara, duke e përshkruar këtë ndryshim si një realitet krejt tjetër, larg shqetësimeve të vazhdueshme për dhunën me armë. “Një flluskë e bukur dhe e sigurt” Shpërngulja në Carloforte i ka dhënë gjithashtu mundësinë të jetë shumë më e përfshirë në rritjen dhe edukimin e fëmijëve të saj.
“Më pëlqen t’u mësoj fëmijëve të mi këtë ndërthurje të pasur të kulturës dhe aventurës”, thotë ajo. Objektivi i saj tani është të ndërtojë një ekuilibër mes një karriere dinamike dhe një jete familjare të ngrohtë, ku fëmijët të rriten me vlera, mençuri dhe një këndvështrim më të gjerë për botën.
Megjithatë, Coltune tregon se ardhja e familjes së saj në ishull u prit fillimisht me njëfarë dyshimi nga banorët vendas. “E ndieja se njerëzit flisnin për ne”, kujton ajo. “Mendoj se shumëkush pyeste veten se përse kisha ardhur këtu, duke qenë një nga të paktët amerikanë që jetonin në ishull. Pa dyshim kishte dyshime.
Por me kalimin e kohës, ata e kuptuan sa shumë e dua këtë vend dhe tani jam bërë pjesë e ritmit të përditshëm të jetës së tyre”. Sot ajo thotë se shitësit në treg e përshëndesin me emër, e pyesin për fëmijët dhe madje edhe për qenin e saj.
Edhe Botë Mes hirit dhe kujtimeve, kthimi në shtëpinë që nuk ekziston më Sipas Coltune, ndjenja e komunitetit që karakterizon këtë ishull të vogël është krejt ndryshe nga ajo me të cilën është rritur. “Gjithmonë ndihem e sigurt. Fëmijët e mi gëzojnë një liri që unë nuk e kam pasur kurrë kur rritesha në Çikago”, thotë ajo. “Unë e di gjithmonë se ku ndodhen, me kë janë dhe çfarë bëjnë.
Është sikur jetojmë brenda një flluske të bukur dhe të sigurt, ku kemi mundësinë jo vetëm të jetojmë, por edhe të lulëzojmë si familje”.
