Moti në Kosovë gjatë ditës së diel pritet të jetë plotësisht stabil, me kthjellime të shumta dhe temperatura të larta tipike për periudhën e verës. Gjatë orëve të mesditës qytetarëve u rekomandohet kujdes për shkak të vapës, e cila do të jetë e theksuar në pjesën më të madhe të vendit.
Temperaturat në Kosovë do të lëvizin nga 16 gradë Celsius në mëngjes, deri në 35 gradë Celsius gjatë orëve më të nxehta të ditës. Kushtet e ngjashme atmosferike priten edhe në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Luginën e Preshevës dhe Mal të Zi, ku dita e diel do të karakterizohet nga mot i kthjellët, i thatë dhe me temperatura të larta verore, raporton meteobalkan.
Edhe ditët e para të javës së ardhshme do të sjellin mot të qëndrueshëm dhe temperatura të larta. Sipas parashikimeve, temperaturat do të mbeten në nivele të ngjashme, ndërsa nga mesi i javës pritet një rritje e mëtejshme e tyre.
