Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, ka komentuar paraqitjen e skuadrës së tij pas barazimit 2-2 në ndeshjen miqësore ndaj Fiorentinës. Sipas gazetës spanjolle “AS”, Mourinho foli për kanalin zyrtar të Real Madridit, ku analizoi performancën e ekipit. “Pashë tri fytyra të skuadrës: një ekip të freskët, një ekip të lodhur dhe një ekip jashtëzakonisht të lodhur,” tha portugezi.
Ai vazhdoi: “Ekipi i freskët luajti në mënyrë të shkëlqyer dhe rezultati 2-1 në fund të pjesës së parë ishte shumë më i vogël sesa e meritonte loja jonë, sepse zhvilluam një pjesë të parë me cilësi shumë të lartë dhe mund të kishim shkuar në pushim me tre ose katër gola epërsi”. Mourinho shtoi se ritmi i ndeshjes ndryshoi pas pushimit.
“Më pas ndeshja u bë më fizike dhe kundërshtari ushtroi shumë presion ndaj nesh. Pikërisht aty u shfaq fytyra e dytë e skuadrës. Kur je i detyruar të mbrohesh brenda zonës me dy lojtarë të rinj si Joan dhe Mario, ata zhvilluan një ndeshje të madhe, por fizikisht ende nuk janë në nivelin që u lejon të përballen me një sulmues të fortë si Moise Kean”.
Trajneri portugez vlerësoi edhe reagimin e ekipit në fund të takimit. “Sa i përket fytyrës së tretë, ajo më pëlqeu shumë. Ishte një skuadër jashtëzakonisht e lodhur, por që dinte të qëndronte e bashkuar dhe ta rimerrte kontrollin e lojës”. Fjalë të mira pati edhe për dy përforcimet më të reja.
“Dumfries dhe Endrick kanë zhvilluar vetëm tri seanca stërvitore, megjithatë secili prej tyre luajti më shumë se 70 minuta. Ishte një përpjekje e jashtëzakonshme dhe ka shumë vlerë për mua. I falënderova për atë që i dhanë skuadrës.
Sinqerisht, më pëlqeu gjithçka.” Kur u pyet për përfundimet që nxori nga ndeshja, Mourinho u përgjigj: “Ky është Real Madridi me burimet dhe lojtarët që kemi aktualisht në dispozicion. U thashë futbollistëve para ndeshjes se Real Madridi mbetet Real Madrid edhe kur bëhet fjalë për ndeshje miqësore.” “Sot më duhej të aktivizoja, nëse mund ta them kështu, ata lojtarë që ishin në dispozicion.
Ne u stërvitëm vetëm dje dhe atë seancë ia kushtuam disa aspekteve organizative.” Një përmendje të veçantë ai e rezervoi për talentin e ri Carlos Espí. “Futëm në lojë Carlos Espín, i cili ende duket sikur po zgjohet nga një ëndërr.
Ai kishte zhvilluar vetëm një orë stërvitje me ne dje, por na ndihmoi sot që të mësojë se çfarë do të thotë të luash për Real Madridin.” Mourinho u shpreh i kënaqur me përkushtimin e futbollistëve. “Jam shumë i lumtur me punën që lojtarët kanë bërë që nga dita e parë.
Ajo që më shqetëson është mungesa e pjesës tjetër të skuadrës, sepse do të kisha dashur të punoja edhe tri javë me ta, por kjo nuk është e mundur.” Ai zbuloi gjithashtu se përforcime të tjera do t’i bashkohen skuadrës në ditët në vijim. “Të hënën do të vijnë Vinícius, Brahim Díaz dhe Bernardo Silva.
Dumfries, Carlos dhe Endrick do të kenë gjithashtu më shumë seanca stërvitore dhe ne do të vazhdojmë punën derisa të kompletohet ardhja e pjesës tjetër të lojtarëve.” Në fund, Mourinho theksoi se ende nuk e ndien atmosferën e garës. “Deri tani nuk kam ndier asgjë të veçantë, sepse ndeshjet e vërteta ende nuk kanë filluar”.
