Sulmuesi i ri egjiptian Hamza Abdelkarim ka pushtuar titujt e mediave spanjolle pas paraqitjes së tij të jashtëzakonshme në miqësoren ndaj Birmingham Cityt, ku shënoi dy gola dhe u bë një nga surprizat më të mëdha të fazës përgatitore të Barcelonës.
Gazeta prestigjioze Marca publikoi një artikull me titullin “Plani i Hamzas funksionon”, duke vlerësuar vendimin e 18-vjeçarit për të ndërprerë pushimet pas pjesëmarrjes me Egjiptin në Kupën e Botës dhe për t’iu bashkuar menjëherë stërvitjeve të Barcelonës.
Sipas Marca , lëvizjet e tij të shkëlqyera, pozicionimi perfekt brenda zonës së rreptësisë dhe guximi pavarësisht moshës së re kanë bërë që ai të tërheqë vëmendjen e trajnerit Hansi Flick. Ndërkohë, Mundo Deportivo e ka cilësuar Hamzan si “goleadorin ambicioz të Flickut”.
Gazeta katalanase thekson se egjiptiani është një sulmues ndryshe nga pjesa tjetër e lojtarëve ofensivë të Barcelonës dhe se ai ofron një cilësi që skuadra e ka kërkuar që nga largimi i Robert Lewandowskit.
Gjithashtu është vlerësuar edhe mentaliteti i tij, pasi 18-vjeçari mori përgjegjësinë për të ekzekutuar një penallti që e fitoi vetë, duke treguar shumë qetësi përpara rivalëve më të mëdhenj në moshë. Gazeta Sport i ka kushtuar një analizë të gjatë me titullin “Zgjidhja Hamza Abdelkarim: sulmuesi surprizë i Barcelonës që shpërtheu në afatin kalimtar”.
Në këtë raport përshkruhet rrugëtimi i tij nga akademia e klubit egjiptian Al Ahly drejt elitës së futbollit evropian, duke theksuar se skautët e Barcelonës kishin vënë re potencialin dhe aftësitë e tij gjatë turneve ndërkombëtare të të rinjve. Kjo bëri që Barcelona të aktivizojë klauzolën e blerjes së tij, në vlerën 1.5 milionë euro.
Një moment interesant ndodhi edhe gjatë intervistës së tij pas ndeshjes, kur njoftimet me zë në stadiumin “St Andrew’s” ndërprenë deklaratën e tij. Hamza e priti situatën me buzëqeshje, duke thënë se zhurma e altoparlantëve ndoshta e ndihmonte të kapërcente emocionet para mediave. Të gjitha raportimet kanë vlerësuar edhe fjalët e Hansi Flick për sulmuesin egjiptian.
Trajneri gjerman e përshkroi atë si “një lojtar shumë modest, me personalitet të shkëlqyer dhe potencial të madh”./ Telegrafi
