LDK-ja paralajmëron masa ndaj atyre që nuk zbatojnë vendimet,

0%

Vendimet e miratuara nga Lidhja Demokratike e Kosovës pas Kuvendit të jashtëzakonshëm kanë nxitur reagime brenda këtij subjekti politik, pasi disa prej tyre janë cilësuar si kufizuese dhe në kundërshtim me frymën demokratike të partisë. Në Kuvendin e mbajtur të enjten, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i mbijetoi mocionit për shkarkim me një diferencë prej vetëm 18 votash.

Pas votimit, delegatët miratuan disa vendime zbatuese, përmes të cilave anëtarët, zyrtarët, të zgjedhurit dhe përfaqësuesit e partisë obligohen t’i respektojnë vendimet e organeve të LDK-së. Në pikën e parë të vendimit thuhet se të gjithë zyrtarët e partisë duhet t’i zbatojnë vendimet e miratuara nga organet kompetente, në përputhje me Statutin.

Ndërkaq, në pikën e pestë parashihet se moszbatimi i vendimeve ose veprimi publik kundër qëndrimit zyrtar të partisë mund të çojë në ndërmarrjen e masave ndaj zyrtarëve përkatës. Këto vendime kanë nxitur reagimin e Muhamet Hamitit, i cili i ka cilësuar ato si absurde dhe jodemokratike.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Në kundërpërgjigje, Hamiti ka publikuar nenin 70 të Kushtetutës së Kosovës, ku përcaktohet se deputetët janë përfaqësues të popullit dhe nuk i nënshtrohen asnjë mandati detyrues. Reagimit i është bashkuar edhe deputetja e zgjedhur e LDK-së, Janina Ymeri, e cila po ashtu ka cituar të njëjtin nen të Kushtetutës.

“Deputetët e Kuvendit janë përfaqësues të popullit dhe nuk i nënshtrohen asnjë mandati detyrues”, ka shkruar Ymeri, duke shtuar me ironi: “Kosova, djep i demokracisë”. Vendimet e miratuara pas Kuvendit të jashtëzakonshëm pritet të vazhdojnë të shkaktojnë debat brenda LDK-së, veçanërisht lidhur me raportin ndërmjet disiplinës partiake dhe autonomisë së deputetëve.

Burimi: sinjali.com