Dogana e Kosovës ka parandaluar futjen e 157 palë atleteve të padeklaruara në territorin e Republikës së Kosovës, gjatë një kontrolli rutinor në Pikën e Kalimit Kufitar në Vërmicë. Sipas njoftimit të Doganës, zyrtarët doganorë kanë ndaluar një automjet për kontroll, ndërsa udhëtari fillimisht kishte deklaruar se nuk posedonte mallra për t’i paraqitur para autoriteteve.
Megjithatë, gjatë kontrollit fizik të automjetit janë zbuluar 157 palë atlete, të cilat nuk ishin deklaruar. Personi nuk posedonte as faturë apo dokumentacion tjetër që dëshmonte origjinën dhe vlerën e mallit.
Dogana bëri të ditur se, në bazë të legjislacionit në fuqi, të gjitha mallrat që hyjnë në territorin e Kosovës duhet të paraqiten dhe, kur kërkohet, të deklarohen pranë autoriteteve doganore. Malli është ndaluar, ndërsa rasti është proceduar për zhvillimin e mëtejmë të procedurave ligjore dhe kundërvajtëse.
Dogana e Kosovës u ka bërë thirrje udhëtarëve dhe operatorëve ekonomikë që t’i respektojnë detyrimet ligjore për deklarimin e mallrave dhe të posedojnë dokumentacionin e nevojshëm gjatë hyrjes dhe daljes nga vendi. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
