Liverpooli ka marrë një shtysë të rëndësishme në përpjekjet për transferimin e anësorit të Paris Saint-Germainit, Bradley Barcola, me një marrëveshje që po duket gjithnjë e më e mundshme përpara fillimit të sezonit 2026/27 të Premierligës. Interesimi i Liverpoolit për Barcolan nuk është sekret.
Raportimet e kësaj jave kanë bërë të ditur se “The Reds” kanë intensifikuar përpjekjet për 23-vjeçarin dhe po përgatisin ofertën e parë zyrtare. Reprezentuesi francez, i cili ndihmoi Francën të arrinte në gjysmëfinalen e Kupës së Botës 2026, është objektivi kryesor i Liverpoolit këtë verë.
Ndërkohë, trajneri Andoni Iraola tashmë ka mirëpritur në “Anfield” përforcimet Jérémy Jacquet dhe Víctor Muñoz. Barcola thuhet se është i hapur për t’iu bashkuar Liverpoolit, megjithëse mbetet e paqartë nëse klubi anglez është i gatshëm të paguajë 145 milionë funte, aq sa kërkon PSG.
Raportime të ndryshme sugjerojnë se kampioni i Francës e vlerëson ish-lojtarin e Lyonit rreth 128 milionë funte, një shumë që do të shënonte rekord transferimi për Liverpoolin nëse marrëveshja realizohet. Sipas gazetarit të “The Athletic”, James Pearce, Liverpooli synon të ofrojë rreth 100 milionë funte për Barcolan, dukshëm më pak se vlerësimi i PSG-së.
Ditët e fundit nuk ka pasur shumë zhvillime rreth negociatave, por Liverpooli mund të ketë marrë një tjetër sinjal pozitiv. Të premten (31 korrik), mediumi holandez “Voetbal International” raportoi se PSG tashmë po kërkon zëvendësuesin e Barcolas dhe ka identifikuar anësorin e Ajaxit, Mika Godts.
Ky zhvillim lë të kuptohet se transferimi i Barcolas në “Anfield” mund të jetë afër finalizimit. Godts, i cili përfaqëson Belgjikën, ka zhvilluar tashmë bisedime me drejtorin teknik të PSG-së, Luis Campos, për një kalim të mundshëm në Paris. 21-vjeçari ka kontratë me Ajaxin deri në vitin 2029, ndërsa klubi holandez e vlerëson mbi 50 milionë funte.
Dhe nuk është vetëm interesimi për Godts që sugjeron largimin e Barcolas. Kampioni i Evropës ka arritur gjithashtu marrëveshje për sulmuesin e Monacos, Maghnes Akliouche, sipas gazetarit italian Fabrizio Romano. “Arritëm marrëveshjen mes klubeve, të zbuluar këtu dy ditë më parë, për 50 milionë euro, dhe tani kemi edhe dritën jeshile nga ana e lojtarit për detajet përfundimtare.
Kontrollet mjekësore do të zhvillohen javën e ardhshme. Akliouche do të nënshkruajë kontratë deri në qershor të vitit 2031”, shkroi Romano në platformën “X”. 24-vjeçari ka shkëlqyer gjatë periudhës së tij te Monaco, duke regjistruar 23 gola dhe 28 asistime në 139 paraqitje, çka ka tërhequr interesimin e shumë klubeve evropiane.
Romano sqaroi gjithashtu raportimet se Liverpooli kishte interesim për reprezentuesin francez gjatë një videoje në kanalin e tij në YouTube. “Mund ta konsiderojmë Maghnes Akliouchen si lojtar të ri të Paris Saint-Germainit. Në këtë kanal nuk ramë pre e kësaj historie, ndryshe nga shumë raportime që dolën në Angli.
Shumë njerëz në Angli raportuan se Liverpooli ishte në negociata për Maghnes Akliouchen, por ishte shumë e qartë se dëshira e tij ishte të kalonte te Paris Saint-Germaini. Liverpooli nuk ka qenë kurrë pjesë e kësaj historie.
Le ta sqaroj një herë e mirë: Liverpooli nuk ka qenë asnjëherë në garë për Maghnesin, ndërsa ai do të bëhet lojtar i Paris Saint-Germainit për 50 milionë euro”, shtoi ai.
