Zëdhënësja e Partisë së Lirisë, Jasmira Memelli, ka dënuar dhunën dhe presionin ndaj gazetarëve në Shqipëri, duke e cilësuar si kërcënim për lirinë e medias dhe demokracinë. Ajo kërkoi hetim të rasteve, ndëshkimin e autorëve dhe rritjen e presionit ndërkombëtar ndaj qeverisë shqiptare për respektimin e lirisë së medias. Deklaratë e Zëdhënëses së Presidentit të Partisë së Lirisë, Znj.
Jasmira Memelli Përshëndetje! Dënimi i Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve ndaj dhunës së ushtruar mbi gazetarët në Shqipëri është një goditje e rëndë për imazhin e vendit dhe një aktakuzë politike ndaj qeverisë së Edi Ramës.
Kur organizatat më prestigjioze të medias në botë i kërkojnë Bashkimit Europian të rrisë presionin ndaj qeverisë shqiptare, është e qartë se Shqipëria nuk po shihet më si një demokraci që respekton lirinë e medias, por si një vend ku gazetarët përballen me dhunë, frikësim dhe presion. Sot në Shqipëri nuk sulmohen vetëm gazetarët.
Sulmohet e vërteta, sulmohet e drejta e qytetarëve për t’u informuar dhe absolutisht sulmohet demokracia. Kur policia ngre dorën ndaj një gazetari që kryen detyrën e tij, ajo nuk mbron ligjin, por cenon një nga liritë themelore të një shoqërie demokratike. Kjo nuk është më çështje e disa incidenteve të veçuara.
Është pasojë e një kulture politike që ka zgjedhur arrogancën në vend të llogaridhënies, propagandën në vend të transparencës dhe presionin në vend të dialogut. Sa më shumë shtohen skandalet, aq më i madh bëhet presioni ndaj atyre që i denoncojnë.
Është turp që Shqipëria, një vend që pretendon të bëhet pjesë e Bashkimit Europian, të përmendet në raportet ndërkombëtare për gazetarë të dhunuar dhe për liri të cenuar të medias. Me propagandë nuk ndërtohet demokracia, me dhunë nuk fitohet legjitimiteti dhe me frikë nuk mund të heshtet e vërteta.
Ne shprehim solidaritetin tonë të plotë me çdo gazetar dhe punonjës të medias që është përballur me dhunë, kërcënime apo presione gjatë ushtrimit të detyrës. I kërkojmë institucioneve të drejtësisë të hetojnë pa vonesë çdo akt dhune ndaj gazetarëve dhe të vendosin para përgjegjësisë çdo autor, pavarësisht funksionit apo uniformës që mban.
I bëjmë thirrje Bashkimit Europian dhe të gjithë partnerëve ndërkombëtarë të ndjekin me vëmendje përkeqësimin e lirisë së medias në Shqipëri dhe të kërkojnë përgjegjësi konkrete nga qeveria shqiptare. Demokracia nuk matet me fjalime dhe propagandë, por me sigurinë e gazetarëve dhe me respektimin e lirisë së shprehjes. Ata që kanë frikë nga gazetarët kanë frikë nga e vërteta.
Ata që përdorin forcën ndaj medias tregojnë dobësi, jo forcë. Liria e medias është themeli i demokracisë dhe nuk do të mposhtet. Ajo do të mbrohet me çdo mjet demokratik deri në rikthimin e plotë të shtetit të së drejtës dhe të standardeve europiane në Shqipëri. Faleminderit!
