Ditën e djeshme, mbrojtësi i Kombëtares Mario Mitaj u zyrtarizua te klubi i Genoa-s nga Al-Ittihad. 22-vjeçari do të debutojë në Serie A, një nga 5 ligat më të mira në Europë e më gjerë. Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka i ka adresaur mesazh tepër special mbrojtësit kuqezi. “Urime Mario Mitajt për hapin e ri në karrierë dhe transferimin te Genoa!
Një tjetër dëshmi se futbolli shqiptar po fiton gjithnjë e më shumë respekt dhe vlerësim në arenën ndërkombëtare. Talenti, puna dhe përkushtimi i futbollistëve tanë po shpërblehen në kampionatet më të forta të Europës. Çdo kuqezi që ngjitet në skena të mëdha frymëzon brezin e ri, lartëson emrin e Shqipërisë dhe na bën të gjithëve krenarë.
Jam i bindur se Mario do ta përfaqësojë me dinjitet futbollin shqiptar edhe në Serie A. Suksese në këtë aventurë të re, Mario! Shqipëria është krenare për ty!”, postimi i Presidentit Duka. Mario Mitaj vjen me formulë huazimi te Genoa, e shoqëruar me koston e 2 milionë eurove, ndërsa në fund të sezonit do të blihet përfundimisht kartoni i mbrojtësit nga ekipi italian.
