Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni ka deklaruar se kriza e fundit në Ceutë tregon nevojën urgjente për një qasje të përbashkët evropiane ndaj migracionit të paligjshëm dhe forcimit të kufijve të jashtëm të Bashkimit Evropian.
Përmes një reagimi në platformën X, Meloni tha se pamjet nga enklava spanjolle në Afrikën e Veriut kanë treguar edhe një herë përmasat e problemit dhe nevojën për veprime të koordinuara mes vendeve anëtare të BE-së.
Sipas saj, 22 nga 27 vendet e Bashkimit Evropian kanë nënshkruar një letër ku kërkohet një veprim i përbashkët për të forcuar kontrollin e kufijve të jashtëm dhe për të parandaluar rritjen e migrimit të parregullt.
Italia pezullon Shengenin me Spanjën për shkak të krizës së emigrantëve “Qëndrimi i vendosur i Italisë ndaj migracionit të paligjshëm tani po ndahet nga një numër gjithnjë e më i madh i vendeve evropiane”, deklaroi Meloni.
Komentet e saj vijnë pas tensioneve diplomatike mes Romës dhe Madridit lidhur me situatën në Seutë, ku mijëra migrantë tentuan të kalojnë kufirin nga Maroku drejt territorit spanjoll.
Italia ka pezulluar marrëveshjet për lëvizjen pa kontrolle kufitare me Spanjën pas valës së kalimeve masive, ndërsa Madridi ka thirrur ambasadorin italian për shkak të deklaratave që i cilësoi si të papërshtatshme për krizën.
Nga ana tjetër, qeveria spanjolle ka akuzuar disa vende evropiane për një “qëndrim shumë egoist”, duke kërkuar më shumë solidaritet dhe bashkëpunim brenda BE-së për menaxhimin e flukseve të migrantëve.
