Një aheng në një restorant në Viti është shoqëruar me të shtëna me armë, ndërsa Policia ka arrestuar një 58-vjeçar, i cili pranoi se kishte qëlluar disa herë në ajër. Sinjali mëson se i dyshuari është Ibush Mustafa, rreth 58-vjeçar. Sipas burimeve, rasti ka ndodhur pak para mesnatës së 31 korrikut, rreth orës , në restorantin “Roza”, në rrugën “Rexhep Bislimi” në Viti.
Pas raportimit për të shtëna me armë, njësitë policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes. Gjatë veprimeve policore, Ibush Mustafa ka pranuar se kishte qëlluar pesë herë në ajër me një armë me gaz të tipit “Zoraki”, të cilën më pas e ka dorëzuar vullnetarisht. Arma është sekuestruar në cilësinë e provës materiale, ndërsa për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit.
Me urdhër të Prokurorit, ndaj Ibush Mustafës është iniciuar procedurë për veprat penale “Armëmbajtje pa leje” dhe “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, ndërsa ai është ndaluar për 48 orë. Hetimet për rastin janë në vazhdim. Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
