Donald Trump ka thyer heshtjen për planin kontrovers të Gianni Infantinos për të shitur aksione në një kompani që mund të menaxhojë Kupën e Botës. Infantino është përballur me kritika të mëdha pas propozimit për krijimin e FIFA Forward Enterprise (FFE), një kompani që do të merrej me menaxhimin e garave të FIFA-s.
Pjesa më e debatueshme e këtij plani është ideja për t’u shitur 20 për qind e aksioneve investitorëve privatë. Kompania amerikane Thrive Capital, e themeluar nga Joshua Kushner, vëllai i dhëndrit të Trumpit, është përmendur si investitori kryesor i mundshëm në këtë projekt.
Presidenti i FIFA-s tentoi të bindte 211 federatat anëtare në mbarë botën, duke ofruar një pagesë prej 30 milionë funtesh për ato që do ta mbështesnin planin deri më 19 shtator. Megjithatë, propozimi u prit me kundërshtime të mëdha. UEFA reagoi ashpër, ndërsa 55 federatat e saj anëtare u zotuan të bojkotojnë Kupën e Botës gjatë një takimi emergjent.
Më pas, federata të tjera në mbarë botën, përfshirë Concacaf dhe Konfederatën Aziatike të Futbollit (AFC), dolën kundër idesë, duke e çuar në mbi 100 numrin e federatave që nuk e mbështesin këtë projekt. Ndërsa shumë drejtues të futbollit kanë shprehur hapur kundërshtimin e tyre, presidenti amerikan Donald Trump fillimisht ishte i rezervuar kur u pyet për qëndrimin e tij ndaj planit.
Infantino në rrezik? Evropa gjen kandidatin që mund ta rrëzojë nga posti i presidentit të FIFA-s “Jo, nuk kam folur kurrë me të”, u përgjigj Trump para gazetarëve gjatë një takimi të kabinetit në rezidencën presidenciale Camp David të premten. Trump dhe Infantino kishin krijuar një raport të afërt gjatë periudhës përgatitore për Kupën e Botës 2026.
Në shortin e turneut në dhjetor, Infantino i dhuroi Trumpit çmimin e parë të FIFA-s për Paqe, një çmim i krijuar nga vetë presidenti i FIFA-s për të nderuar “individë që kanë ndërmarrë veprime të jashtëzakonshme për paqen dhe kanë bashkuar njerëzit në mbarë botën”. Ky vendim u kritikua shumë, sidomos pasi SHBA-ja ndërmori sulme ndaj Iranit vetëm tre muaj më vonë.
Ky nuk ishte rasti i vetëm kur miqësia mes Trumpit dhe Infantinos është vënë në pikëpyetje./ Telegrafi
