Zvicra po përballet me valën e katërt të të nxehtit këtë verë, duke thyer rekorde temperaturash. Arat e thata, shtretërit e tharë të lumenjve dhe liqenet gjysmë të zbrazëta dëshmojnë për vapën e madhe që po vështirëson jetesën, veçanërisht në qytetet e ultësirës ku nxehtësia po bëhet e papërballueshme.
Siç raporton mediumi publik zviceran SRF, kjo gjendje ka bërë që me mijëra qytetarë t’i braktisin qytetet e nxehta për të kërkuar freski në lartësitë malore dhe pranë ujërave.
Drejtori i organizatës “Schweiz Tourismus”, Martin Nydegger, e përmbledh këtë dukuri duke theksuar se njerëzit po ngjiten drejt maleve dhe po u drejtohen liqeneve, dy pika këto që po shënojnë rritje masive të popularitetit këtë sezon. Destinacionet e njohura si Davos-Klosters, Engadini apo Aletsch Arena në kantonin e Wallisit janë të stërmbushura me vizitorë.
Sipas Nydegger, kërkesa është dukshëm më e lartë se zakonisht gjatë kulmit të sezonit. Ai sqaron se kur njerëzit në qytete nuk arrijnë të flejnë për disa net me radhë nga vapa, vendosin të rezervojnë një hotel në male ose të udhëtojnë drejt ndonjë liqeni, gjë që lehtësohet edhe më shumë nga rrjeti i shkëlqyer i transportit publik zviceran.
Në anën tjetër, ndërsa rajonet malore po përjetojnë një fluks rekord, monumentet kulturore dhe vendet historike në ultësirë po regjistrojnë më pak vizitorë. Një shembull është kështjella “Schloss Gruyères” në kantonin e Freiburgut.
Drejtori i saj, Filipe Dos Santos, deklaron se kjo rënie vizitorësh gjatë ditëve me vapë ekstreme është diçka e pritshme, sidomos pasi qasje te kështjella bëhet vetëm në këmbë përmes një kodre. Megjithatë, ai rikujton se brenda kështjellës mbretëron një freski e këndshme edhe gjatë valëve më të mëdha të të nxehtit.
Ecuria e motit tregon se kjo situatë do të vazhdojë, pasi nuk ka sinjale për rënie të temperaturave as javën e ardhshme. Edhe pse ditën e festës kombëtare – më 1 gusht – mund të ketë ndonjë stuhi të izoluar, parashikimet nga dita e hënë tregojnë sërish temperatura mbi 30 gradë celsius.
Për këtë arsye, udhëtimi drejt lartësive malore do të mbetet alternativa kryesore e qytetarëve kundër vapës.
