Nissan po përballet me një periudhë të vështirë dhe drejtuesit e kompanisë paralajmërojnë se nevojiten ndryshime të mëdha për të siguruar të ardhmen e markës. Zëvendëspresidenti i Nissan për zhvillimin e produkteve, Kazuyuki Yamaguchi, deklaroi se kompania duhet të sjellë makina të reja në treg shumë më shpejt. “Duhet të prezantojmë produkte tërheqëse më shpejt.
Përndryshe, nuk do të mbijetojmë”, tha ai. Për të përshpejtuar procesin, Nissan po shkurton kohën e zhvillimit të modeleve të reja nga rreth 52 muaj në 37 muaj, ndërsa disa modele synohen të zhvillohen edhe më shpejt. Kompania po redukton gjithashtu numrin e platformave të automjeteve nga 13 në 7, do të ulë ndjeshëm kompleksitetin e pjesëve dhe do të zvogëlojë numrin e modeleve në treg.
Një nga modelet e para që përfiton nga kjo strategji është gjenerata e re e Nissan Skyline, e zhvilluar në vetëm 26 muaj. Kompania po përgatit gjithashtu rikthimin e Xterra-s, ndërsa modele si GT-R i ri dhe gjenerata e ardhshme e Z janë në zhvillim.
Krahas ndryshimeve në prodhim, Nissan po ndërmerr masa të forta financiare, duke planifikuar mbylljen e disa fabrikave, reduktimin e rreth 20 mijë vendeve të punës dhe uljen e kapacitetit vjetor të prodhimit. Kompania shpreson që kjo strategji ta ndihmojë të përballet me konkurrencën e fortë nga prodhuesit kinezë të automjeteve dhe ndryshimet e shpejta në industrinë globale të makinave.
