Banorët e lagjes Ferronikeli në Drenas ankohen për mungesën e ujit

0%

Banorë të rrugës “Berlini” në lagjen e Feronikelit në Drenas, po ankohen për telashe me ujin e pijshëm. Ata thonë se janë duke u ballafaquar me një situatë jo të mirë, derisa kërkojnë zgjidhje të përhershme. Nga Komuna e Drenasit paralajmërojnë padi për Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”. Nga KRU “Prishtina” thonë se furnizimi jo i rregullt me ujë gjatë periudhës së fundit është shkaktuar kryesisht nga niveli i ulët i ujit në kanalin e Ibër-Lepencit, gjendje e cila po krijon probleme të vazhdueshme dhe kufizime ditore në sigurimin e sasive të nevojshme të ujit për konsumatorët. Sipas tyre, përveç kësaj, infrastruktura e sistemit të pompave, e cila aktualisht mirëmbahet nga Ferronikeli, është në gjendje të rënduar teknike, duke ndikuar drejtpërdrejt në kapacitetet dhe sigurinë e furnizimit me ujë. Nuk ka ujë në çezmën e oborrit të tij e kështu Murat Morina nga lagjja e Ferronikelit në Drenas po ankohet se mungesa e furnizimit me ujë të pijshëm është bërë e lodhshme. Furnizimin e herëpashershëm e ka nëpërmjet rezervuarit. “Për Bajram katër ditë rresht nuk kemi pasur ujë. Rezervat janë harxhuar dhe nuk kemi zgjidhje tjetër. Pastaj kalojnë një, dy apo edhe tri ditë pa furnizim me ujë”, tha Morina. Edhe banorë të tjerë të rrugës “Berlini” në këtë lagje, shprehin shqetësim, pasi thonë se problemi kryesor është te higjiena. “Po të mos kishim rezervuarë për të mbushur kur vjen uji për 15 apo 20 minuta, e ndonjëherë edhe më gjatë, do ta kishim shumë të vështirë. Gjendja është mjaft e rëndë, për të mos thënë alarmante”, pohoi Islam Xhemaili, banor. “Problemi me mungesën e ujit vazhdon tash e një vit. Shqetësimi kryesor është te higjiena”, thotë tjetri banor. Banorët kërkojnë zgjidhje të përhershme, derisa përveç kësaj lagjeje, me këtë problem po ballafaqohen edhe zona të tjera të Drenasit. Nga komuna thonë se janë duke përgatitur një padi për Kompaninë rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”. “Ne jemi duke përgatitur edhe një padi, ndaj KRU Prishtina, njësia në Drenas, për shkak që nuk është duke i kryer obligimet e tyre. Arsyetimi është që në Bivolak nuk janë vendos pompat, mirëpo, ka më shumë se një muaj, që të njejtin arsyetim e paraqet ujësjellesi para neve”, tha Bekim Dobra, zëdhënës i komunës së Drenasit. Nga KRU “Prishtina” thonë se furnizimi jo i rregullt me ujë gjatë periudhës së fundit është shkaktuar kryesisht nga niveli i ulët i ujit në kanalin e Ibër-Lepencit. “Duke parë gjendjen emergjente të sistemit të pompimit, KRUP ka planifikuar që në fund të vitit 2026 rehabilitimin e njërës prej pompave kryesore. Aktualisht jemi në fazën e nënshkrimit të kontratës me operatorin ekonomik për realizimin e këtij projekti. Pas përfundimit të rehabilitimit, pritet rritje e kapaciteteve pompuese dhe përmirësim i ndjeshëm i furnizimit me ujë për konsumatorët”. Nga kjo kompani thonë se janë realizuar investime të rëndësishme edhe në funksionalizimin e pompave në Drenas, të cilat tashmë furnizojnë me ujë lagjen Poklek i Ri dhe Korreticën e Epërme, duke përmirësuar ndjeshëm shërbimin në këto zona.

Burimi: Bota Sot