Nga: Donisa Fazliu Shpërndaje në: Është publikuar aktgjykimi i plotë për vrasjen e Liridona Ademajt. Në të theksohet se i akuzuari Naim Murseli prej kohësh donte ta vriste bashkëshorten, por i mungonte njeriu që do ta merrte përsipër krimin.
Gjykata konstatoi se Murseli jo vetëm e organizoi krimin, por ndihmoi edhe në ekzekutimin e Ademajt Vetëm personi që merr përsipër vrasjen e gruas së tij i mungonte Naim Murselit për shkak se dëshira e madhe për ta kryer krimin ekzistonte prej kohësh, është konstatuar në aktgjykimin e Gjykatës Themelore, i publikuar në korrik.
Ai është bazuar në verdiktin e prillit, me të cilin Murseli bashkë me Granit Plavën u dënuan me burgim të përjetshëm, për vrasjen e Liridona Ademajt, në nëntor të 2023-s, e Kushtrim Kokalla u dënua me 30 vjet burgim.
“Nga këto prova është gjetur saktë se dëshira e të akuzuarit Naim Murseli, ishte aq e lartë sa që i mungonte vetëm një person për ta ekzekutuar, ndërkaq që pas shpalosjes së idesë për ekzekutim tek i akuzuari Kushtrim Kokalla, si familjar i të akuzuarit Naim dhe si person që kishte biseduar e qëndruar më së shumti gjatë kohës sa ka qenë në Kosovë”, thuhet në aktgjykim.
Bazuar në dokument, Kokalla e ka ndihmuar Murselin, duke ia gjetur dhe duke e njoftuar me Plavën, që më pas e ka kryer vrasjen. Në aktgjykim theksohet se përpos planifikimit dhe organizimit, Murseli ndihmoi edhe në kryerjen e vrasjes, derisa ndodheshin në veturë.
“I ka ndihmuar që të mos rezistonte edhe kapja me dorën e djathtë nga i akuzuari Naim Murseli, në krahun e dorës së majtë të tani së ndjerës duke e mbajtur, në mënyrë që Liridona të mos mund t’i shmangej plumbit assesi, pa çka edhe hematomi në krahun e saj, sipas ekspertit mjekoligjor të dëgjuar edhe gjatë shqyrtimit gjyqësor i është shkaktuar gjersa Liridona kishte qenë gjallë, sepse e njëjta gjakmbledhje nuk mund të shkaktohet në trupin e pajetë të një njeriu”, thuhet në aktgjykim.
Edhe Kronikë 21 pri 2026 Sot shpallet aktgjykimi për vrasjen e Liridona Ademajt Sipas Gjykatës, motivi kryesor për vrasjen e të ndjerës Liridonës, lidhet me raportet e çrregulluara familjare e martesore dhe me përfitimin.
“Kur është paguar polisa e sigurimit jetësor në emër të Liridona Ademajt, me kompaninë “Folksam” në shumë prej 3.000.000 krunash suedeze, me qëllim që pas vrasjes të ketë edhe dobi financiare, i akuzuari Naim, të akuzuarit të tretë Kushtrim Kokallës, ia ka shpalosur planin e likuidimit të bashkëshortes së tij dhe nga ai, ka kërkuar të gjejë mundësi për vrasjen e saj.
I akuzuari Kushtrim Kokalla, fillimisht ka refuzuar, e më pas ka gjetur të pandehurin e dytë Granit Plavën, me të cilin e ka njoftuar të akuzuarin Naim Murselin dhe të tretë janë dakorduar që i akuzuari Graniti, ta kryejë vrasjen me marrëveshje që i akuzuari Naim, t’ia paguajë kompensimin në shumë prej 30.000 eurosh”, është theksuar në dokumentin e gjykatës.
Vrasja e Liridona Ademajt ndodhi në nëntor të 2023-s në rrugën “Dalip Alshiqi”, në Prishtinë në një grabitje të inskenuar.
