Ka marrë zhvillim të ri rasti i Festim Bobajt, rreth 24-vjeçar nga fshati Korishë i Prizrenit, i cili një ditë më parë ishte ndaluar nga Policia nën dyshimin për posedim të paautorizuar të armës. Sinjali mëson se këtë herë ka qenë babai i të dyshuarit ai që ka njoftuar Policinë, pasi gjatë ushqimit të bagëtive në stallë ka gjetur armën që, sipas dyshimeve, ishte fshehur nga djali i tij.
Sipas burimeve, rreth orës të 30 korrikut, ai ka raportuar në Polici se mes duajve të kashtës kishte hasur në një pistoletë me gaz të tipit “ZORAKI 918-P”, së bashku me një karikator të zbrazët. Njësitë policore dhe krim-teknikët kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku arma është dokumentuar dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Ky zhvillim vjen vetëm një ditë pasi Festim Bobaj ishte intervistuar nga Policia dhe kishte pranuar se kishte poseduar një armë me gaz, duke deklaruar se e kishte sjellë nga Sllovenia dhe më pas e kishte kthyer atje. Për gjetjen e armës është njoftuar sërish Prokurori i Shtetit, ndërsa rasti vazhdon të hetohet.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
