Prishtina pritet të jetë në qendër të vëmendjes këtë fundjavë, ndërsa mijëra vizitorë po mbërrijnë për edicionin e radhës të Sunny Hill Festival. Kryeqyteti po përjeton një rritje të jashtëzakonshme të kërkesës për akomodim, me rreth 95% të vendeve për qëndrim të rezervuara, sipas të dhënave nga platforma Booking.com.
Hotelet, apartamentet dhe bujtinat në kryeqytet janë pothuajse të mbushura, ndërsa numri i madh i vizitorëve lidhet kryesisht me organizimin e Sunny Hill Festival, një nga ngjarjet më të mëdha muzikore në rajon. Festivali ka sjellë çdo vit mijëra të ftuar nga Kosova, diaspora dhe vende të ndryshme të Evropës, duke ndikuar ndjeshëm në sektorin e turizmit dhe ekonomisë lokale.
Nuk duhet harruar se festivali sjell afër 50 milionë euro përfitim ekonomisë së vendit brenda 3 ditëve. Përveç akomodimeve, fluks më të madh pritet të kenë edhe restorantet, kafenetë, baret, shërbimet e transportit dhe bizneset e tjera në Prishtinë.
Me kapacitetet e akomodimit pothuajse të shfrytëzuara plotësisht, vizitorët që ende nuk kanë bërë rezervime mund të përballen me zgjedhje të kufizuara ose të duhet të kërkojnë alternativa në qytetet përreth. Prishtina pritet të jetë këtë fundjavë një pikë takimi për muzikë, kulturë dhe mijëra vizitorë që do ta kthejnë kryeqytetin në një nga destinacionet më të gjalla në rajon.
