Ambasadori i Izraelit në Kombet e Bashkuara, Danny Danon, deklaroi se Izraeli është i gatshëm të zbatojë marrëveshjen për armëpushim me Hamasin, por theksoi se mbetet skeptik ndaj Hamasit. Në një intervistë për CNN, ai tha se Izraeli duhet të verifikojë veprimet e Hamasit dhe jo vetëm deklaratat e këtij grupi.
Sipas Danon, ekzistojnë dyshime se grupi mund të përpiqet të fshehë armët duke i zhvendosur ato, në vend që t’i dorëzojë. “Çarmatimi do të thotë që armët të largohen nga Gaza dhe Hamasi të mos ketë më kontroll mbi to”, u shpreh ai, për CNN, raporton BBC.
I pyetur për mundësinë e krijimit të një shteti palestinez, Danon tha se kjo çështje nuk është më në rend dite në Izrael pas sulmit të 7 tetorit 2023. “Pas 7 tetorit askush në Izrael nuk po diskuton mundësinë e një shteti palestinez. Ne jemi të përqendruar te siguria jonë.
Duam që palestinezët të kenë një jetë më të mirë dhe një regjim të moderuar, por ideja e një shteti nuk është në tryezë”, tha ai. Nga ana tjetër, Hamasi ka bërë të ditur se dorëzimi i armëve të rënda do të ndodhë vetëm nëse Izraeli tërheq trupat nga Gaza dhe garantohet e drejta e palestinezëve për vetëvendosje dhe krijimin e një shteti të pavarur palestinez.
Grupi ka theksuar gjithashtu se armët e rënda nuk do t’i dorëzohen Izraelit, por do të ruhen nga Komiteti Kombëtar për Administrimin e Gazës (NCAG), organi që parashihet të marrë përgjegjësinë për administrimin e territorit.
Marrëveshja me 20 pika, e ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara, parasheh dorëzimin e armëve të Hamasit, shkatërrimin e rrjetit të tuneleve, tërheqjen graduale të forcave izraelite, krijimin e një administrate teknokrate palestineze, vendosjen e një Force Ndërkombëtare të Stabilizimit dhe rindërtimin e Gazës.
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se çarmatimi do të realizohet në faza dhe, paralelisht me përfundimin e tij, forcat izraelite do të tërhiqen, ndërsa siguria në Gaza do t’i kalojë një force ndërkombëtare dhe një policie të re palestineze. Sipas dokumentit të siguruar nga Associated Press, garantues të marrëveshjes janë Shtetet e Bashkuara, Turqia, Egjipti dhe Katari.
