Agron Limani emërohet kryesues të Komisionit Qeveritar për Persona të

0%

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka emëruar Agron Limanin në pozitën e kryesuesit të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur. Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, Limani është aktivist i angazhuar prej më shumë se dy dekadash në kërkimin e së vërtetës dhe drejtësisë për personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë.

Në njoftim thuhet se ai është bashkautor i monografisë “Fshati i Vrarë” , e cila trajton masakrën e Krushës së Vogël dhe që, sipas Qeverisë, është përdorur si dëshmi nga institucionet e drejtësisë në rastin ku është dënuar Darko Tasiq. Po ashtu, bëhet e ditur se gjatë luftës Limani ka qenë ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ndërsa familja e tij është prekur rëndë nga lufta.

“Gjatë luftës, Agron Limani ka qenë ushtar i UÇK-së, e ka të vrarë vëllain, ndërsa babai, axha dhe djali i axhës së tij mbesin ende të zhdukur. Ata janë në mesin e 60 personave të pagjetur nga masakra e forcave të armatosura të Serbisë në Krushë të Vogël”, thuhet në njoftim.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Sipas Qeverisë, Limani e ka nisur angazhimin e tij në kërkim të personave të zhdukur përmes drejtimit të Shoqatës për Hulumtimin e Personave të Rrëmbyer “26 Marsi 1999”. Në njoftim, ekzekutivi rithekson përkushtimin për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur, pavarësisht, siç thuhet, pengesave nga Serbia.

“Përkundër pengesave dhe sabotimit të vazhdueshëm nga Serbia, ne jemi të përkushtuar dhe të palëkundur në përpjekjet tona në kërkim të së vërtetës, me qëllim zbardhjen e fatit të secilit prej më të dashurve tanë të zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit, si dhe vënien e drejtësisë në vend”, thuhet më tej.

Qeveria vlerësoi gjithashtu se gërmimet e fundit në Kalludër të Zubin Potokut janë rezultat i punës së institucioneve të Kosovës dhe përsëriti thirrjen ndaj bashkësisë ndërkombëtare që të ushtrojë presion mbi Serbinë për zbatimin e Deklaratës së 2 majit 2023 për personat e zhdukur me dhunë.

Në këtë kontekst, kërkohet edhe hapja e arkivave të forcave serbe, përfshirë arkivën e Brigadës së Motorizuar 37 të ish-Ushtrisë Jugosllave, me qëllim ndriçimin e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë. / Telegrafi

Burimi: Telegrafi