Policia e Kosovës, më , ka gjetur dhe sekuestruar mallra të ndryshme pa dokumentacion përcjellës, të cilat dyshohet se janë futur në mënyrë të kundërligjshme në Kosovë.
Në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, në kuadër të zbatimit të një plani taktik operacional në rrugët malore të fshatit Korminjan, Policia ka identifikuar dy automjete që kishin hyrë në territorin e Republikës së Kosovës përmes rrugëve ilegale malore nga territori i Serbisë.
Nga verifikimet e kryera është rezultuar që mallrat nuk ishin të pajisura me dokumentacion mbi prejardhjen apo procedurat doganore. Bazuar në mbishkrimet, mallrat rezultuan të ishin prodhim i Serbisë. Me autorizim të prokurorit kujdestar në Gjilan, automjetet dhe mallrat janë sekuestruar dhe janë dërguar në terminalin doganor për procedura të mëtejme të vlerësimit dhe ruajtjes.
Lidhur me rastin janë iniciuar procedurat përkatëse ligjore, ndërsa hetimet do të vazhdojnë nga njësia kompetente e Policisë së Kosovës në bashkëpunim me Doganën e Kosovës. Policia e Kosovës poashtu bëri të ditur se do mbeten të përkushtuar në luftimin e kontrabandës dhe aktiviteteve tjera të jashtëligjshme në zonat kufitaret.
“Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në luftimin e kontrabandës dhe aktiviteteve të tjera të kundërligjshme në zonën kufitare, me qëllim mbrojtjen e rendit juridik, ekonomisë së vendit dhe sigurisë së qytetarëve”- thuhet në njoftim.
