Rikonfirmimi i Abdixhikut rihap bisedimet me LVV-në, por jo dilemat

0%

Pas rikonfirmimit të Lumir Abdixhikut në krye të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), debati politik nuk është më nëse kjo parti do të rikthehet në tavolinën e negociatave me Lëvizjen Vetëvendosje (LVV), por nëse këto bisedime mund të prodhojnë një marrëveshje të qëndrueshme.

Abdixhiku ka hequr pezullimin e vendosur ndaj kontakteve me partinë fituese të zgjedhjeve, ndërsa nga të dyja kampet është konfirmuar gatishmëria për vazhdimin e diskutimeve. Megjithatë, analistët politikë vlerësojnë se rikonfirmimi i tij nuk i ka larguar pengesat kryesore që qëndrojnë përpara një koalicioni të mundshëm.

Deri më tani, LVV dhe LDK kanë zhvilluar vetëm një takim, më 10 korrik, mes Albin Kurtit dhe Lumir Abdixhikut. Pas atij takimi nuk pati marrëveshje, por të dy liderët shprehën gatishmëri për vazhdimin e dialogut. Procesi u ndërpre pasi brenda LDK-së u iniciua nisma për shkarkimin e Abdixhikut, i cili pezulloi bisedimet deri në përfundimin e proceseve të brendshme.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Tash, pas rikonfirmimit në krye të partisë, ai ka bërë të ditur se LDK është sërish e gatshme të vazhdojë negociatat për krijimin e institucioneve. “Nga nesër e tutje të vazhdojmë diskutimet aty ku kanë mbetur. Nuk kemi mbërri në asnjë pozitë individuale”- tha Abdixhiku më pasi u rikonfirmua kryetar i LDK-së.

Megjithatë, profesori i shkencave politike në UBT, Dritëro Arifi vlerëson se rikonfirmimi i Abdixhikut nuk e ka zgjidhur problemin kryesor të LDK-së – unitetin e brendshëm. Sipas tij, edhe pse kryetari është rikonfirmuar, mbetet e paqartë nëse deputetët e partisë do ta mbështesnin një marrëveshje me LVV-në.

“Abdixhiku është rikonfirmuar por duhet kuptuar që ky lidership i LDK-së në përgjithësi ka një fragjilitet të skajshëm dhe pavarësisht rikonfirmimit të tij – dhe atë se çfarë tha mbrëmë – unë mendoj që ende mbetet i paqartë qëndrimi i grupit parlamentar.

Pra po flas edhe qëndrimet individuale, sepse aty ka figura jashtëzakonisht me integritet të cilat pavarësisht se çka thotë partia, nganjëherë mund edhe të mos binden për shkak të bindjeve të tyre politike dhe eksperiencës që kanë pasur me Vetëvendosjen”- tha ai për Kallxo.com.

Arifi konsideron se pa një platformë të qartë politike, bisedimet mes LVV-së dhe LDK-së do ta kenë të vështirë të prodhojnë rezultat. Përtej situatës së brendshme në LDK, ai argumenton se partia ende nuk ka sqaruar se cilat do të jenë kushtet konkrete për hyrjen në një koalicion me LVV-në.

Ai përmend si çështje kyçe gazsjellësin amerikan, pezullimin e dialogut strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit e Ohrit, duke theksuar se për këto tema nuk ka ende pozicione të qarta publike nga LDK-ja.

“Pavarësisht se çka ka thënë mbrëmë Abdixhiku për marrëveshjen, LDK mbetet shumë mbrapa edhe me qëndrime publike për çka ajo realisht qëndron.

Ende nuk e dimë çka do të ndodh me gazin amerikan, apo çka do të ndodh me pezullimin e dialogut strategjik me SHBA – sepse dihet kush është fajtori pse është pezulluar – dhe çka do të ndodh me ‘Zajednicën’, pra me marrëveshjen e Brukselit dhe të Ohrit… Nuk ka qëndrime specifike të LDK-së se çka paraprakisht do të kërkojë”- shtoi ai.

Arifi shpreh skepticizëm edhe për motivin e vetë negociatave. “Për fat të keq, i gjithë koncepti i LDK-së është vetëm për një ose dy pozita që të akomodohet dikush nga kjo parti, apo i afërt me këtë parti dhe në njëfarë mënyre të shihet në publik kinse LDK është parti institucionale dhe po dëshiron ta shpëtojë vendin nga zgjedhjet”- thotë Arifi.

Në fund, Arifi vlerëson se diskutimet aktuale rrezikojnë të reduktohen në negociata për poste dhe jo për përmbajtjen e marrëveshjes politike. Një përfundim të ngjashëm, por nga një këndvështrim tjetër, jep edhe analisti Shenoll Muharremi.

Sipas tij, edhe nëse LVV dhe LDK arrijnë marrëveshje për formimin e qeverisë, kjo nuk e zgjidh problemin themelor të krijimit të institucioneve, pasi nyja mbetet zgjedhja e presidentit. Muharremi argumenton se LVV-ja mund t’i sigurojë votat për qeverinë bashkë me deputetët e komuniteteve joshumicë, por jo edhe shumicën e nevojshme për zgjedhjen e presidentit.

Për këtë arsye, ai e konsideron të pamjaftueshëm një koalicion vetëm mes LVV-së dhe LDK-së. “Koalicioni LVV-LDK nuk prodhon institucione stabile, por e thellon krizën dhe çon në zgjedhje të reja”- Sipas Muharremit, një marrëveshje e tillë mund t’i shërbejë LVV-së për të siguruar mbështetje për një president nga radhët e saj, ndërsa LDK-së t’i ofrohen poste ministrore.

Megjithatë, ai konsideron se një pjesë e deputetëve të LDK-së nuk do të votonin një president të propozuar nga LVV-ja, pasi janë kundër përqendrimit të tri pozitave kryesore shtetërore në një parti të vetme.

Në vend të kësaj, Muharremi argumenton se zgjidhja duhet të kërkohet përmes një kandidati konsensual dhe jopartiak për president, pasi vetëm një formulë e tillë mund të sigurojë mbështetje më të gjerë parlamentare. Deklaratat e përfaqësuesve të dy partive tregojnë se, të paktën publikisht, dera për vazhdimin e bisedimeve mbetet e hapur, por jo edhe përfundimi i tyre.

Shefja e grupit parlamentar të LVV-së në legjislaturën e kaluar, Arbërie Nagavci, pas mbledhje përgatitore për seancën konstituive, ka konfirmuar se deri tani nuk ka marrëveshje në parim me LDK-në dhe se është mbajtur vetëm takimi i parë ndërmjet Kurtit dhe Abdixhikut. “Nuk ka marrëveshje në parim me LDK-në, ka pasur një takim i parë, i cili ka qenë në frymë konstruktive.

Deri më tani nuk ka dakordim për pozita të caktuara”- ka deklaruar ajo. Edhe nga LDK-ja është bërë e ditur se aktualisht nuk ka ndonjë ftesë për takim të ri.

Shefja e grupit parlamentar të LDK-së në legjislaturën e kaluar, Jehona Lushaku ka thënë se, pas përfundimit të proceseve të brendshme, partia është e gatshme të vazhdojë diskutimet, por ka ritheksuar se çdo partneritet ndërtohet mbi parime dhe se LDK mbetet në qëndrimin që tri pozitat kryesore të shtetit të mos kontrollohen nga një subjekt i vetëm politik.

Ky qëndrim përputhet edhe me deklaratat e vetë Abdixhikut pas rizgjedhjes së tij. Ai njoftoi se LDK do t’u rikthehet bisedimeve me LVV-në, por njëkohësisht përsëriti se nuk do të pranojë një marrëveshje që ia lë të njëjtës parti Kuvendin, Qeverinë dhe Presidencën. Në anën tjetër, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka përjashtuar mundësinë e hyrjes në një qeveri me LVV-në.

Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka deklaruar se partia do të mbetet në opozitë, duke lënë edhe më pak alternativa për ndërtimin e një shumice të gjerë politike. “Jemi vite larg me LVV-në dhe shohim pak fare pak hapësirë për bashkëpunim. Dhe këtë e kemi bërë të qartë.

Kjo nuk do të thotë që nuk bashkëpunojmë kur janë në pyetje konstituimi i institucioneve dhe interesat e qytetarëve, por jo në qeverisje”- tha Çitaku.

Ndërkaq, nënkryetari i Aleancës, Besnik Tahiri, duke folur për një bashkëpunim të mundshëm me LVV-në për formim të institucioneve, Tahiri tha se nëse nuk merren parasysh gjashtë kërkesat e tyre ata nuk votojnë, por kërkesat janë pa marrë hise në qeveri. “Ne nuk bëhemi vegël se nuk jemi vegël. Se nga një parti që nuk u thirr në takime, u bëmë parti e respektuar.

Ne kemi qartësi në kursin tonë politik, për Kosovën e jo për partinë. Në qoftë se nuk e përfillin, ia pafshin hajrin.”- tha Tahiri. Tahiri ka shtuar se Kosova të shkoj nga një cikël zgjedhor në tjetrin, është e rrezikshme. Vendi shkoi në zgjedhjet e mbajtura më pasi deputetët e Kuvendit të Kosovës dështuan në zgjedhjen e presidentit të ri brenda afatit kushtetues.

Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha ishin kandidate për presidente, megjithatë në natën e nuk u arrit të konsumohet asnjëri rund i votimit për president dhe vendi shkoi në zgjedhje. Në atë seancë nuk morën pjesë Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Në zgjedhjet e qershorit, LVV doli fituese dhe mori 53 ulëse në Kuvend, PDK 22 ulëse, LDK 18 dhe Aleanca 7 derisa 20 deputetë të tjerë u takojnë komuniteteve joshumicë. Për votimin e presidentit të vendit duhen së paku 80 vota në kuti në raundin e parë dhe të dytë, kurse në të tretin mjaftojnë vetëm 61 vota nga 120 të mundshme.

Po ashtu, për t’u zgjedhur president në raundin e parë dhe të dytë duhet që njëri kandidat t’i ketë 80 vota e në të tretin mjaftojnë 61. Në rast të dështimit të zgjedhjes së presidentit brenda këtij afati 60 ditor, vendi shkon përsëri në zgjedhje .

Burimi: Kallxo