Arbërie Nagavci e cila ishte shefe e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje në legjislaturën e dhjetë, ka thënë se ende nuk është caktuar një takim mes Albin Kurtit dhe Lumir Abdixhikut. Pas rikonfirmimit të Abdixhikut si kryetar i LDK-së, Nagavci ka thënë se mirëpresin vendimin e Kuvendit të LDK-së për të vazhduar takimet për formimin e institucioneve.
“Besoj që në afatin më të shkurtë të mundshëm do të vazhdojnë diskutimet.”- tha ajo. Nagavci para mediave më ka thënë se nuk ka marrëveshje në parim me LDK-në. “Nuk ka marrëveshje në parim me LDK-në, ka pasur një takim i parë, i cili ka qenë në frymë konstruktive. Deri më tani nuk ka dakordim për pozita të caktuara.”- deklaroi ajo.
Në Kuvendin e Jashtëzakonshëm të LDK-së, të mbajtur të enjten më , Lumir Abdixhiku u rizgjodh kryetar i partisë, pasi mori mbështetjen e 170 delegatëve. Kundër mori 152 vota, dhe pesë abstenime.
Edhe pse votimi ishte i fshehtë dhe nuk dihet se kush qysh votoi – mirëpo disa nga ata që ishin vendosur kundër Abdixhikut vetëm se kishin bërë të ditur paraprakisht, përfshirë këtu Hykmete Bajrami, Avdullah Hoti, Arben Gashi, Gazmend Muhaxhiri e Armend Zemaj – por jo vetëm.
Ky kuvend është thirrur nga të pakënaqurit e kësaj partie me rezultatin zgjedhor të 7 qershorit, ku LDK u rikonfirmua për të tretën herë brenda 1 viti e gjysmë si parti e tretë në vend. Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abidxhiku, pas konfirmimit të tij në këtë pozitë në Kuvendin e jashtëzakonshëm, tha se kjo parti dëshmoi demokraci maksimale.
“Ky Kuvend ishte i pavend e pa kohë në këtë periudhë. Kemi dëmtuar mbështetësit tanë. Rezultati i tanishëm është detyrim i bashkimit dhe reformës së LDK-së”- tha ai. Abdixhiku tha se kanë marrë një vendim që ka të bëjë me gjendjen politike në vend. “Delegatët mbështetën iniciativën tonë për t’i dhënë institucione vendit”- tha ai.
Në zgjedhjet e fundit, LDK-ja garoi së bashku me presidenten e gjashtë të vendit, Vjosa Osmani-Sadriu, dhe mori 16.69% të votave apo 18 ulëse në Kuvendin e Kosovës.
Menjëherë pas kësaj filluan kërkesat për dorëheqjen e Abdixhikut të cilat kulmuan me dorëzimin e nënshkrimeve të më shumë se 1/3 së delegatëve të Kuvendit të cilët kërkuan thirrjen e këtij organi të partisë për ta hedhur në votim shkarkimin e Abdixhikun nga pozita e kreut të partisë.
Kuvendi u mbajt në atmosferë përplasjesh të brendshme dhe akuzash brenda anëtarësisë për presione që pretendohej se vinin nga nivelet e larta.
