Rezervat ujore në akumulimet kryesore vazhdojnë të monitorohen me kujdes, ndërsa autoritetet bëjnë thirrje për përdorim sa më racional të ujit gjatë muajve të ardhshëm. Sipas të dhënave të fundit, niveli i ujit në Liqenin e Badocit është rreth 2 metra nën nivelin maksimal të mbushjes, ndërsa në Liqenin e Batllavës 1.69 metra nën nivelin maksimal.
Bazuar në gjendjen aktuale të rezervave dhe menaxhimin e tyre, këto sasi uji sigurojnë furnizim deri në fund të vitit 2026. Megjithatë, ruajtja e kësaj qëndrueshmërie varet edhe nga mënyra e përdorimit të ujit nga konsumatorët.
Autoritetet kanë apeluar qytetarët që ta përdorin ujin me kujdes, duke shmangur keqpërdorimin, kontrolluar rrjedhjet dhe reduktuar shpenzimet e panevojshme, veçanërisht gjatë periudhave me temperatura të larta.
“Çdo pikë uji e kursyer sot kontribuon në sigurinë e furnizimit nesër”, thuhet në apelin drejtuar konsumatorëve, duke theksuar se menaxhimi i ujit është përgjegjësi e përbashkët.C Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
