Protesta kundër Ramës nuk ndalet: A po hyn Shqipëria në një fazë të

0%

Protesta qytetare në Zvërnec ka hyrë në ditën e 62-të, duke u shndërruar nga një kundërshtim ndaj projektit turistik në zonë në një lëvizje që ka zgjeruar agjendën e saj dhe ka nxitur debat të gjerë publik.

Me kalimin e javëve, protestuesit nuk janë fokusuar vetëm te kundërshtimi i projektit në Zvërnec, por kanë ngritur edhe shqetësime më të gjera lidhur me qeverisjen, transparencën institucionale dhe mënyrën e vendimmarrjes. Kjo ka bërë që protesta të tërheqë vëmendjen e opinionit publik dhe të aktorëve politikë.

Vazhdimësia e protestës ka ngritur pikëpyetje nëse pakënaqësia qytetare tashmë ka tejkaluar çështjen e projektit turistik dhe është shndërruar në një sfidë më të gjerë për institucionet dhe qeverinë.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Po ashtu, mbetet për t’u parë nëse zgjatja e protestës do të ndikojë në vendimmarrjen e autoriteteve, nëse projekti do të rishikohet apo nëse do të ketë përpjekje për një zgjidhje përmes dialogut me protestuesit. Lidhur me këto zhvillime, për gazetën “Bota sot” kanë folur njohësit nga Shqipëria, Skënder Kapiti dhe Llesh Ndoj.

Kapiti: Protesta ka marrë përmasa politike Publicisti Skënder Kapiti në prononcimin e tij për “Bota sot” vlerëson se protesta e Zvërnecit e ka tejkaluar prej kohësh shkakun fillestar dhe është shndërruar në një lëvizje me karakter kombëtar dhe politik.

Publicisti Skënder Kapiti Sipas tij, kundërshtimi ndaj projektit turistik ishte vetëm shkëndija që mobilizoi qytetarët, ndërsa më pas protesta u zgjerua duke reflektuar pakënaqësinë ndaj qeverisjes dhe klasës politike.

“Protestat që filluan për të kundërshtuar projektin turistik në Zvërnec ishin shkëndija që i dha hov një lëvizjeje mbarëkombëtare shqiptare dhe i dha kësaj proteste karakter të thellë patriotik e kombëtar. Me kalimin e kohës, protesta vetëm sa u rrit, jo vetëm në numër, por mori edhe mbështetje nga shqiptarët në të gjitha trojet dhe nga diaspora.

Ajo ua hoqi maskën pushtetit dhe politikës 35-vjeçare të tranzicionit, të cilën e konsideroj si një elitë tradhtare, mashtruese, spekuluese, të korruptuar dhe grabitqare”, deklaron Kapiti për “Bota sot”. Ai thotë se tashmë kërkesat e protestuesve nuk lidhen më vetëm me projektin në Zvërnec, por me ndryshime politike në vend.

“Nuk bëhet më fjalë vetëm për anulimin e projekteve që konsiderohen korruptive, por për rrëzimin e qeverisë dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Kjo është alternativa e vetme dhe nuk mund të diskutohet apo të negociohet me atë që është përgjegjës për gjendjen e krijuar. Çdo marrëveshje e protestuesve me kryeministrin Rama do të ishte tradhti ndaj interesit publik.

Zgjidhja nuk mund të vijë nga ai që është autori i problemeve dhe i pakënaqësisë qytetare. Ajo është largimi i Edi Ramës nga pushteti, gjë që, sipas meje, do të ishte në interes edhe të Kosovës dhe të gjithë shqiptarëve”, thekson ai.

Ndoj: Protesta nuk ka lidhje me shkakun fillestar Ndërkaq, publicisti Llesh Ndoj vlerëson se protesta e ka humbur prej kohësh lidhjen me arsyen për të cilën nisi. Llesh Ndoj Sipas tij, megjithatë, ajo ka nxjerrë në pah pakënaqësi të shumta ndaj mënyrës së qeverisjes dhe raportit të institucioneve me qytetarët.

“Protesta, ndoshta që nga dita e tretë e saj, nuk ka më asnjë lidhje me shkakun e nisjes, pra me çështjen e Zvërnecit. Vazhdimësia e saj tregoi se pakënaqësitë ndaj qeverisjes janë shumë më të mëdha sesa vetëm çështja e mjedisit apo e ashtuquajturës ‘shitje e atdheut’.

Në radhë të parë qëndron shkëputja e qeverisjes nga populli, mungesa e dëgjueshmërisë, administrata e korruptuar dhe probleme të tjera, sa reale aq edhe të perceptuara”, deklaron Ndoj për “Bota sot”. Megjithatë, ai konsideron se protesta tashmë ka humbur fuqinë për të sjellë ndryshime konkrete. “ Sot nuk mund të quhet më protestë në kuptimin e plotë të fjalës.

Kanë mbetur një grusht njerëzish që përsërisin të njëjtat mesazhe prej dy muajsh. Janë të paktë në numër, të varfër në ide dhe të paaftë për të sjellë ndryshim. Ndryshimi vjen përmes politikës dhe zgjedhjeve, ndërsa kjo lëvizje nuk paraqet një alternativë politike dhe nuk ofron zgjidhje konkrete ”, shprehet ai.

Sa i përket reagimit të institucioneve, Ndoj mendon se mund të ketë lëvizje të pjesshme, por jo ndryshim të kursit. “Qeveria mund të ndërmarrë ndonjë reagim social, madje mund të sakrifikojë edhe ndonjë ministër, por këto masa nuk do të bëjnë diferencën. Nuk besoj se do të ndryshojë qasja ndaj zhvillimit të turizmit.

Përkundrazi, Shqipëria ka nevojë të kalojë nga turizmi masiv drejt turizmit cilësor, gjë që kërkon investime të mëdha dhe investitorë seriozë ndërkombëtarë. Problemet reale mbeten sistemi i drejtësisë dhe çështjet e pronësisë, ku qeveria duhet të përqendrojë energjitë e saj, e nxitur edhe nga kjo protestë”, përfundon Ndoj për “Bota sot”.

Burimi: Bota Sot