Sulmet ruse në Ukrainë, tre të vrarë dhe 31 të plagosur

0%

Të paktën tre persona kanë humbur jetën dhe 31 të tjerë janë plagosur si pasojë e sulmeve ajrore ruse gjatë natës në Ukrainë, ndërsa autoritetet ukrainase raportojnë se Rusia ka lëshuar 255 dronë drejt objektivave në disa rajone të vendit. Sipas Forcave Ajrore të Ukrainës, mbrojtja ajrore ka rrëzuar ose neutralizuar 195 dronë, por goditje janë regjistruar në 14 lokacione të ndryshme.

Në mesin e viktimave në qytetin Kryvyi Rih raportohet se janë edhe dy vajza të moshës 5 dhe 12 vjeç. Nga ana tjetër, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë ka deklaruar se sulmet kanë pasur në shënjestër objektiva ushtarake ukrainase. Mediat raportojnë gjithashtu se një raketë ruse ka shkelur hapësirën ajrore të Polonisë gjatë valës së sulmeve.

Ndërkohë, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se ende nuk ka marrë një vendim nëse do t’i lejojë Ukrainës të prodhojë raketat kundërajrore Patriot në territorin e saj. Në një intervistë për Financial Times, Trump tha se çështja është ende në shqyrtim. “Është një armë e jashtëzakonshme dhe duhet të jemi shumë të kujdesshëm se kujt i japim licencën.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Zakonisht nuk japim licenca për teknologji të tilla”, ka deklaruar ai. Komentet e Trumpit vijnë disa ditë pasi presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky zhvilloi një takim në Shtëpinë e Bardhë, ku, sipas tij, u diskutua mundësia e prodhimit të raketave interceptuese Patriot në Ukrainë.

Sipas mediave amerikane, zyrtarë të kompanisë Raytheon, prodhuese e sistemit Patriot, kanë vizituar Ukrainën, ndërsa edhe kompania Lockheed Martin po përgatit dërgimin e një ekipi ekspertësh për të shqyrtuar mundësitë e bashkëpunimit.

Ndërkohë, gazeta britanike The Guardian raportoi se një fabrikë për prodhimin e dronëve në Ukrainë, në pronësi të kompanisë amerikane Terminal Autonomy, është goditur javën e kaluar nga një sulm rus, duke u bërë kompania e parë amerikane e industrisë së mbrojtjes që goditet drejtpërdrejt në territorin ukrainas gjatë luftës.

Burimi: Bota Sot