Historikisht, mund të thuhet se enverizmi dhe kulti i Enverit lindi dhe pati një përhapje masive sidomos, me daljen e publike të Enver Hoxhës në krye të PKSH-së, disa muaj pas 29 nëntorit 1944.
Nuk është rastësi që “vëllezërit jugosllavë”, që i dhuruan postin e kreut të partisë më dhe që e ndihmuan ta mbante këtë post në ditë të vështira, sidomos në Konferencën e Pezës, në Mbledhjen e Mukjes, në Kongresin e Përmetit, në Mbledhje e Beratit…, deri në ikjen e tyre në vjeshtë 1948, ishin po ata që ndikuan edhe për lindjen, përhapjen dhe masivizimin e enverizmit.
Prishjen politike me “vëllezërit jugosllavë”, Enver Hoxha dhe tufa e politikanëve dhe pushtetarëve më besnikë rreth tij, një pjesë e mirë e tyre me lidhje të fshehta me shërbimin sekret të Titos dhe të Jugosllavisë(OZNA, UDB), e shfrytëzuan me të paktën dy qëllime.
Së pari, për ta reklamuar dhe afirmuar atë jo si siç kishte qenë në të vërtetë, si “vëlla” të Miladinit, Dushanit”…e jo si “kukull”, “manekin”, “zagar gjuetie” të Titos, edhe me shqiptarë në Shqipëri e Kosovë. Së dyti, për ta propaganduar Enverin siç nuk kishte qenë në të vërtetë, si shpëtimtar të Shqipërisë nga bashkimi me Jugosllavinë!?
Sepse, në të vërtetë, ai e kishte përmbytur Titon me kërkesa me gojë e shkrim për përfshirjen e Shqipërisë në gjirin e “Jugosllavisë motër”, si “republikë e 7-të” e saj?!
Sidomos pas vitit 1960, me ndërprerjen e lidhjeve politike dhe ekonomiko-ushtarake me BS, figura e Enverit dhe kulti i tij morën adhurim, mbështetje, masivitet dhe përmasa të frikshme, duke ndikuar tek ai që të ndjehej gjithnjë e më tepër si sulltan e mbret e më pak si lider i zgjedhur dhe i shkarkueshëm nga kongrese të partisë.
Këtë ai e shndërroi në një kope njerëzore, që kishte për detyrë vetëm të bindej, duartrokiste, brohoriste, këndonte e kërcente, qeshte e qante…çmendurisht para tij e për atë!? Plotpushtetshmëria, mungesa e kundërshtimit në parti dhe nga institucionet e drejtësisë, e dehën apo e tërbuan Enver Hoxhën.
Deri aty sa të vriste, burgoste, internonte familjarisht cilindo që e shikonte, edhe më kot, për paranojë, si rrezik, kundërshtar, pengesë…
Për hyjnizimin dhe mbrojtjen e idhullit të tyre, enveristët e moçëm e të rinj, kapen fort dhe palogjikshëm tek “veprat dhe kontributi i tij” në fushat e industrisë minerare, të naftës, ushqimore dhe tekstile; mekanike…Domethënë tek numri, lartësia dhe tymi i oxhakëve të fabrikave, uzinave, kombinateve e jo tek dobitë dhe frytet e tyre të përditshme e të përjetueshme nga shumica e popullit…!?
Po kështu, ia dhurojnë idhullit të tyre edhe meritat për gjithçka u bë në fushat e mbrojtjes, arsimimit; të kulturës dhe arteve, të shkencës dhe mjekësisë, e tj., pa ia parë dhe njohur atij edhe gabimet, dështimet, fajet, krimet, përgjegjësitë…Më shqip: nuk është as e saktë, as e drejtë dhe as e logjikshme t’i atribuohen të gjitha sa u bënë në Shqipëri në periudhën 1945-1985 Enver Hoxhës individualisht.
Sepse ai nuk i bëri këto vetëm me kokën e vet. Në vartësi dhe dispozicion të tij kishte ministri dhe ministra, institute studimore e shkencore, në të cilat drejtonin dhe punonin kuadro civilë dhe gjeneralë me diploma universitetesh prestigjioze nga vende perëndimore e të ish kampit socialist dhe me nivel intelektual dhe shkencor më të lartë se të Enver Hoxhës, mbetur shkollëmesëm, vetëm me diplomën e Liceut Francez të Korçës!?
Nga ana tjetër, dihet se kombinatet, uzinat dhe fabrikat e asaj kohe, nuk u bënë as me paratë individuale apo familjare të Enverit, as nga kilogramët e floririt që merrte çdo muaj një nga bijtë e tij në Uzinën e Rubikut, por me miliardat e lekëve nga buxheti i shtetit, që mbushej me punën, djersën, gjakun, jetët e popullit…Nuk mund të harrohet edhe se deri në vitin 1961 Shqipëria u ndihmua jo pak nga BS dhe vendet e tjera të kampit socialist dhe më vonë, nga Republika Popullore e Kinës.
Enveristët e thinjur e ata të brilantinuar apo bojëkuqizuar, nuk duan t’ia dinë se fitimet e mëdha nga veprat industriale dhe nga pasuritë nëntokësore, u shfrytëzuan kryesisht për mbrojtje e ushtri, për tunele dhe bunkerë, shndërruar në wc dhe vende kurvërie në fusha e kodra; për financimin e “partive marksiste-leniniste”, të veprave të shkruara nga ndihmës të tij e që u vihej padrejtësisht emri i Enver Hoxhës, e tj, dhe jo për të rritur nivelin e jetesës së shumicës së popullit, krahasueshëm me atë të vendeve më të varfër të Afrikës dhe Azisë!
Berishizmi, atavizëm e enverizmit… Prej 35 vitesh, me shumë gjasa nga qenia një popull që nuk jeton pa kulte prijësish, liderësh, udhëheqësish dhe që lumturohet duke u puthur atyre jo vetëm duart dhe duke u thurur këngë, qysh nga fillimi i vitit 1991, kur ishte shumë masiv dhe veprues enverizmi, tek “populli demokrat” lindi, u forcua dhe u përhap masivisht dhe ngjashëm në shprehje e forma edhe berishizmi.
Edhe në “popullin e djathtë” apo “opozitar”, në ato vite dhe deri më sot, kushdo që kishte dhe ka kurajën të shprehte edhe ndonjë rezervë, vërejtje, kritikë të drejtë e faktike ndaj Berishës, shikohej damkosej, ndëshkohej me mosbesim dhe flakje nga partia si element i futur nga Ramiz Alia, nga Sigurimi, Blloku, “Katovica”, Sorosi, Nano, Rama…!? Kjo ishte si thika me dy presa!
Dëmtoi së pari vetë Berishën, duke e bërë të pakundërshtueshëm e të pakritikueshëm!? Dëmtoi jo pak edhe realitetin shoqëror, mentalitetin dhe fjalorin politik shqiptar, duke krijuar një kult të ri!? Dihet se gjatë këtyre 35 viteve “kulti” apo “miti” Berisha, domethënë “berishizmi”, ka pasur ulje dhe ngritje në vartësi të zhvillimeve politiko- ekonomiko- sociale në vend.
Sidomos, në vartësi të konjunkturës politike, të qenies në pushtet apo në opozitë, pas fitoreve apo humbjeve, me rënie drastike më 1997-2000 dhe me ringjallje e ringritje, sidomos në vitet 2005-2013.
Krahas brohoritjeve frenetike, një nga format më masive të berishizmit, është të kujtuarit dhe të numëruarit vetëm të sukseseve dhe meritave dhe “harresa” jo e rastësishme e gabimeve të Sali Berishës, e cila është e gjatë. Në krye të saj janë firmat piramidale, ligji 7051; disa vendime e veprime gjatë vitit 1997.
Në vijim, përzgjedhjet e një tufe drejtuesish partiakë dhe qeverisës, në nivel nënkryetarësh, zv.kryeministrash, ministrash, zv.ministrash…, ministrash. Këta e braktisën PD-në në ditë të vështira, morën poste në qeveri të PS më 1997- 2005!
Pas rikthimit në pushtet të PD- së, u falën nga Berisha, jo rastësisht, islamik me dozë të lartë mëshire kristiane, ndaj njerëzve të këtij mielli e brumi.
Një pjesë e këtyre e braktisën përsëri, pas 2013-tës, duke harruar mirënjohjen dhe duke vjellë vrerë ndaj tij, më shumë se enveristët, edramistët, patronazhistët…Kjo listë me gabime të Berishës u pasurua me vendime e veprime në parti e Parlament gjatë periudhës 2013- , që e kanë sjellë PD-në në këtë gjendje kritike prej mbi 10 vitesh…!
FITORJA mbi Edi Ramën me tufat dhe taborët e tij, kërkon një PD të vërtetë dhe një opozitë unike, homogjene për nga strukturimi dhe funksionimi, por mbi të gjitha, nga njëmendësia dhe bashkimi i sinqertë në strategji dhe veprime. Idealja, duke kultivuar debatin e kulturuar, demokratik dhe konstruktiv dhe përfundimin e tij me konsensus masiv e të sinqertë.
Nënkuptohet, do të ishte në të mirë të saj, të demokracisë dhe Shqipërisë që PD e re të jetë pa Berishën, me ekip drejtues TË RI, jo aq nga mosha, se sa nga pastërtia dhe vlerat e shumta të figurës, karrierës, cv- ve…!!
Ikja e vullnetshme e Berishës, pa u paramenduar si fundi i PD-së dhe pa u merakosur fort për pasardhësin e tij, i cili do të gjendet shpejt, sepse janë jo të paktë kandidatët e denjë në gjirin e PD, ishte e pritshme menjëherë pas heqjes gjysmake të non gratas amerikane.
Por, do ti jepte shumë pikë në imazh dhe do ta shpëtonte nga paragjykimet dhe kujtesa e gabimeve gjatë 35 viteve, nëqoftëse e bën dorëheqjen e vullnetshme edhe në respekt të kërkesës së protestuesve gjatë afro dy muaj protestash në Tiranë. Siç është parë dhe dëgjuar, kërkesa e parë e tyre është “burgosja e Edi Ramës dhe e Sali Berishës”!
Kështu e ndihmon “vëllazërisht” edhe Edi Ramën, duke “i kujtuar” dhe “përkthyer” nga edramishtja në SHQIP, fjalën, konceptin, praktikën, përvojën, traditën “DORËHEQJE E VULLNETSHME”! Pra, Berisha është njeri dhe jo PERËNDI! Si njeri jetoftë edhe 100 vjet e më shumë. Por, si kryetar në parti, qeveri, shtet sikur ka mbijetuar shumë më gjatë se shumica e homologëve në botë…
Edramizmi, varrosje për së gjalli e PS… Qysh në muajt e parë të emërimit si kryetar dhe kryeministër i PS-së, nuk është e vështirë të gjenden dëshmi, fakte, tregues se Edi Rama, “i infektuar” edhe nga virusi i enverizmit dhe berishizmit, arriti ta vinte partinë nën interesat, dëshirat, vullnetin, urdhrat, diktatin, tekat… e tij.
Nuk iu desh shumë kohë dhe sforcim për tua mbyllur gojët dhe treguar derën e ikjes si të padëshiruar atyre që patën kurajë e zë të shprehnin rezerva, vërejtje, kritika, edhe si mërmërima apo fjali të paplota e me zë të lartë. Lista e “rrebelëve” apo e të padëshirueshmëve është e gjatë.
Me “heqjen qafe” apo nga nëpër këmbët të këtyre, brenda një kohe të shkurtër, ai e shndërroi PS-në nga një organizatë politike, në një strukturë statusuore e formale, apo në një turmë pa demokraci të brendshme e pa jetë politike. Për më keq, ku sundojnë mediokrët, servilët, skllevërit, kartonangritësit symbyllur… ndaj kryetarit.
Ditën kur Edi Rama, me dy poste, pra si kryetar e si kryeministër, filloi të kërkonte në kryesi e në strukturat e mëposhtme, më shumë besnikëri ndaj tij sesa ide, më shumë heshtje sesa debat, nisi edhe procesi i varfërimit të demokracisë së brendshme në gjirin e saj.
Partiakëve, pushtetarëve dhe zyrtarëve të tri niveleve, deputetëve socialistë…kryetari i partisë u kërkon nënshtrim e bindje, jo konsultim dhe ide. Nënkuptohet mesazhi për ata: idetë i ka vetëm ai dhe prandaj bën si të dojë. Ata si vartës, kukulla, robotë… kanë veshë, mandate, kartona…,por jo gojë dhe mendim…!?
Pra, edhe Edi Rama, ashtu si paraardhësit e tij Enver Hoxha dhe Sali Berisha, nanuriset nga iluzioni, ideja, dukuria, praktika e përjetuar, edhe përtej shqiptare, e “liderit absolutist”.
Prandaj edhe ai, si shumë kryetarë partishë, sidomos në vende të Lindjes ish komunisto-socialiste dhe ish diktatoriale në vende të Amerikës Latine, të Afrikës, Azisë, më shumë si kryeministra, ndjehen si mbretër, vendosin arbitrarisht për gjithçka apo për shumëçka.
Mbingarkesa me kaq shumë të drejta, kompetenca, pushtete, pasuri… i ka mbushur mendjen se nuk është e nevojshme që kryeministri ti nënshtrohet llogaridhënies as në Kongrese të partisë…!? Edhe që të çojë ndërmend dorëheqjen e vullnetshme dhe ikjen nga froni kryeministror pa i ndalur zemra…!?
Në mbyllje, që kulti i kryetarëve është sajim apo prodhim Lindor, vendesh ish diktatoriale e diktatoriale, me mbizotërim të ndjeshëm të popullsive me banim dhe origjinë në fshatra, shprehet edhe nga fakti se nuk ka pasur dhe nuk ka “lulëzim masiv” në vende të Europës Perëndimore, edhe në SHBA.
Në këto vende nuk mund të flitet për ruzweltizim dhe aizenhauerizim(SHBA), për churchillizim e thatcherizim(Angli); për degolizim dhe miteranizim(Francë); për adenaurizim, helmutkohlizim, angelamerkelizim(Gjermani)…!
Qenia enverist, berishist, edramist i përjetshëm, fanatik, i verbër e gojëkyçur ndaj gabimeve të kryetarëve, deri në absurdin dhe presionin antidemokratik për të mos lejuar të tjerët ta shprehin lirisht e publikisht mendimin e tyre, “ndryshe” nga i kryetarit dhe kritik për ata, të shtynë edhe në dyshimin për mangësi apo prapambetje të bartësve në formimin demokratik, intelektual, qytetar, kulturor…!
