Dy raste të ndara të përdorimit të armëve gjatë ahengjeve familjare janë regjistruar mbrëmjen e së enjtes në Shtime, ndërsa policia ka sekuestruar dy armë dhe ka iniciuar procedura penale ndaj dy të dyshuarve.
Policia Rajonale e Ferizajt njoftoi se rasti i parë është raportuar rreth orës në fshatin Petrovë, ku i dyshuari me inicialet L.S., 25 vjeç, ka pranuar se kishte shtënë me armë zjarri. Ai ka dorëzuar një pistoletë së bashku me dy fishekë, të cilët janë sekuestruar si prova materiale.
Ndërkaq, rasti i dytë është raportuar rreth orës në rrugën “Fazli Grajqevci” në Shtime, ku i dyshuari E.R., 27 vjeç, ka dorëzuar një armë me gas, e cila dyshohet se ishte përdorur gjatë një ahengu familjar. Sipas policisë, në të dy rastet, me urdhër të prokurorit të shtetit janë iniciuar procedurat për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Pas intervistimit, të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt hetimore. Policia Rajonale e Ferizajt u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos përdorin armë në ahengje familjare apo në çfarëdo feste tjetër, duke theksuar se një veprim i tillë rrezikon seriozisht jetën dhe sigurinë e qytetarëve, përveçse përbën vepër penale.
Po ashtu, policia ka bërë të ditur se do të vazhdojë të ndërmarrë masa ligjore ndaj çdo personi që përdor armë në mënyrë të kundërligjshme dhe ka ftuar qytetarët që raste të tilla t’i raportojnë në numrin emergjent 192 ose përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë”.
