Një numër shkollash në tre shtete amerikane pritet të pajisen me dronë të posaçëm të pajisur me sprej piper, të cilët synojnë të ndërhyjnë në rastet e sulmeve me armë zjarri, raporton The Washington Post . Të quajtur “Campus Guardian Angels” (Engjëjt Mbrojtës të Kampusit), dronët janë zhvilluar nga kompania Mithril Defense.
Sipas prodhuesit, ata mund të fluturojnë me shpejtësi deri në 100 kilometra në orë, të thyejnë dritare dhe të arrijnë te një person i armatosur brenda vetëm 15 sekondash. Përveç spërkatjes me sprej piper, dronët janë të pajisur me sirena dhe drita që pulsojnë për të shpërqendruar sulmuesin, ndërsa në raste të caktuara mund të përplasen edhe fizikisht me të.
“Sapo të të kapin dronët, thjesht nuk mund t’u shpëtosh dot”, tha për The Washington Post Bill King, bashkëthemelues i Mithril Defense dhe ish-anëtar i forcave speciale Navy SEAL. Projekti tashmë po fiton mbështetje në disa shtete amerikane. Florida vitin e kaluar ndau mbi 557 mijë dollarë për një program pilot që parashikon vendosjen e këtyre dronëve në tri shkolla të mesme.
Edhe shteti i Xhorxhias ka miratuar një program pilot me vlerë 500 mijë dollarë për testimin e sistemit të Mithril në pesë shkolla publike, ndërsa në Kolorado një shkollë publike charter K-12 ka vendosur ta financojë vetë përdorimin e teknologjisë. Dronët nuk funksionojnë në mënyrë autonome. Ata kontrollohen nga operatorë njerëzorë në qendrën e Mithril në Austin, Teksas.
Sipas kompanisë, në secilën shkollë mund të vendosen nga 30 deri në 90 dronë në kuti të posaçme, për të mundësuar reagim sa më të shpejtë në raste emergjente. Mithril pretendon se teknologjia e saj mund të ndihmojë edhe autoritetet, duke lokalizuar sulmuesin dhe duke transmetuar në kohë reale informacione të rëndësishme për forcat e rendit.
Megjithatë, projekti ka nxitur edhe shqetësime serioze. Kritikët paralajmërojnë se ekziston rreziku që operatorët të identifikojnë gabimisht një person të pafajshëm ose të ndikojnë në vendimet e policisë gjatë situatave kaotike. “Është pothuajse si kur lojërat dhe siguria në shkollë përplasen.
Kam disa rezerva vërtet serioze në lidhje me vendosjen e dronëve në shkolla”, tha Curtis Lavarello, Drejtor Ekzekutiv i Këshillit të Avokimit për Sigurinë në Shkolla, për The Washington Post . Kjo nuk është e vetmja teknologji që po testohet për parandalimin e sulmeve në shkolla.
Tashmë ekzistojnë disa kompani që ofrojnë sisteme për zbulimin e armëve me inteligjencë artificiale, por efektiviteti i tyre është vënë në pikëpyetje. Një prej tyre, Omnilert, alarmoi policinë për një 16-vjeçar të pafajshëm pasi sistemi ngatërroi një qese me çipsa Dorito me një armë.
Kompania po përballet gjithashtu me një padi nga një i mbijetuar i të shtënave në një shkollë të mesme në Tennessee, pasi sistemi nuk arriti të identifikonte armën e përdorur nga sulmuesi. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
