Shqipëria ka nisur zyrtarisht procedurat për t’u bërë pjesë e misionit ndërkombëtar të stabilitetit në Gaza. Këshilli i Ministrave ka miratuar projektligjin që hap rrugën për angazhimin e Forcave të Armatosura shqiptare në këtë operacion, ndërsa dokumenti do t’i dërgohet Kuvendit për miratim me procedurë të përshpejtuar.
Projektligji parashikon që numri maksimal i efektivëve shqiptarë në mision të jetë 40 ushtarakë. Misioni i tyre do të përfshijë mbështetjen e operacioneve të sigurisë dhe stabilitetit, mbrojtjen e personelit, objekteve dhe infrastrukturës së misionit, mbështetjen e operacioneve humanitare, si dhe monitorimin e raportimin e situatës së sigurisë, në përputhje me mandatin e Forcës Ndërkombëtare të Stabilitetit.
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, bëri të ditur se kontingjenti shqiptar do të nisë fillimisht me katër oficerë shtabi. Pas dislokimit të tyre do të përcaktohet numri përfundimtar i trupave që do të dërgohen në Gaza, si edhe vendndodhja ku do të vendosen.
Projektligji parashikon gjithashtu që ushtarakët pjesëmarrës të përfitojnë, përveç pagës mujore, edhe dieta për ditët e qëndrimit në mision, sipas një vendimi të veçantë të Këshillit të Ministrave. Sipas qeverisë, pjesëmarrja e Shqipërisë në këtë operacion do të zhvillohet në përputhje me mandatin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe të Forcës Ndërkombëtare të Stabilitetit.
“Republika e Shqipërisë do të ketë një përfaqësi në Gaza duke filluar fillimisht me katër oficerë shtabi. Me vajtjen e këtyre katër oficerëve të shtabit në Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese do të vlerësohet më pas edhe kush do të jetë niveli konkret i trupave që do të dërgohen në Gaza, duke përfshirë këtu edhe vendndodhjen konkrete ku këto trupa do të dislokohen” , u shpreh ministri.
